Kosova shënon sot 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Çlirimit të Kosovës.
Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar që të marrin pjesë në këtë jubile, edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright, gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.
Madeleine Albright nderohet me çmimin “Urdhëri i Lirisë”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nderuar me çmimin “Urdhri i Lirisë”, ish-sekretaren amerikane të shtetit Medeleine Albright për kontributin e saj dhënë gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Duke vlerësuar kontributin e Albright, presidenti Thaçi tha se ajo arriti që të bënte bashkë shtete e ndryshme të botës për të ndaluar vrasjet dhe largimin me dhunë të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.
“Jemi të bekuar që edhe presidenti Klinton edhe ju si sekretare e shtetit edhe pas njëzetë vitesh jeni rikthyer në shtëpinë tuaj, në familjen tuaj për të uruar dhe celebruar bashkërisht 20 vjetorin e lirisë së Kosovës, 20 vjetorin e shpresës dhe besimit të njerëzve të vendit që lidhet drejtpërsëdrejti me kontributin tuaj personal që keni ditur të bashkoni botën demokratike për Kosovën, për të drejtën e qytetarëve të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Ndërkohë, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha se SHBA-ja ka bërë gjënë e duhur kur arritën që të ndihmojnë popullin e Kosovës që të jenë të lirë.
“Jam e lumtur për të gjitha ato që ju bëtë dhe ato që ne bëmë që këto gjëra të ndodhin. Nuk do të harroj kurrë, ardhjen në Prishtinë, menjëherë pas përfundimit të luftës. Turmat ishin shumë të mëdha dhe aty, gjithkund kishte shenja duke thënë: “Faleminderit USA”. Mendoj se SHBA-të bënë gjënë e duhur”, deklaroi Albright.
Gjatë luftës në Kosovë ish-sekretarja Albright kishte rol kyç në proceset që dërguan deri te nisja e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.
Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit
Më 24 mars u shënuan 20 vjet që nga dita kur NATO filloi bombardimet ndaj Jugosllavisë së atëhershme. Gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet, forcat policore e ushtarake serbe vranë mijëra civilë, në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë.