Pesëshja amerikano-evropiane zbret në Kosovë, pritet nga kryeministri Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.
Sipas agjendës së Kryeministrisë, takimi është parashikuar të mbahet në ora 10:00 ku mediet mund të marrin vetëm pamje nga takimi.
Siç po quhet në media, “Pesëshja e madhe”, të dielën pritet të shkojnë në Beograd për të takuar presidentin serb, Aleksander Vuçiq, ndërsa përpjekja e tyre është, që të rinisin dialogun e “fjetur” për disa javë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Diplomatët ndërkombëtarë po ashtu pritet të shtyjnë përpara zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, por edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që kanë arritur Kosova e Serbia gjatë viteve.
Kujtojmë, se kryeministri Kurti një ditë më parë, i pyetur se çka pret nga pesëshja ndërkombëtare që vjen të shtunën, ai tha se kjo merret vesh gjatë takimit, por ritheksoi se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.
“Çka do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë e marrim vesh (sot). Unë mund të them, se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet, edhe për institucionet e shtetit, për popullin dhe shoqërinë”, tha Kurti.
Në BE kanë thënë se qëllimi kryesor i vizitës në Kosovë dhe Serbi është ringjallja e dialogut, me synim që palët të zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e arritura.
Së bashku me emisarin Lajçak e Escobar, në vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës, ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo.
Ndryshe vizita e pesë emisarëve, është e para në Kosovë që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic dhe dy të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe bashkëpunëtor i presidentit serb, Vuçiq.
Lajçak: Deeskalimi dhe normalizimi më urgjent se kurrë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Lajçak, tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.
“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.
“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, paralajmëroi Lajçak.
Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.
“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha Lajçak.
Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.
“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.
Çfarë tha Kurti?
Kurti theksoi, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me dialogun, kryeministri kosovar theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.
Pas vizitës në Prishtinë, diplomatët udhëtuan drejt Beogradit, ku u takuan me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pasditen e së shtunës.
Vuçiqi tha se e pati një takim “të vështirë” me pesë diplomatëve perëndimorë në Beograd.
“Besoj se në periudhën e ardhshme ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, tha Vuçiq në një shkrim në rrjetin social Instagram, pas takimit.
/Argumentum.al