Presidenti i Republikës Çeke, Millosh Zeman e ka emëruar në postin e kryeministrit, Petr Fiala, udhëheqësin e aleancës së qendrës së djathtë.
Ceremonia e mbajtur të dielën, më 28 nëntor, u zhvillua duke respektuar protokollet kundër pandemisë, pasi Zeman ditë më parë doli pozitiv me koronavirus.
Fiala udhëheq një bllok të pesë partive opozitare të qendrës dhe qendrës së djathtë. Ky bllok opozitar fitoi zgjedhjet e mbajtura në tetor, duke larguar nga pushteti kryeministrin e deritashëm çek, Adrej Babish dhe aleatët e tij.
Qeveria e re çeke do të duhet të përballet me valën e re të infektimeve me koronavirus, që po rrezikon të mbingarkojë spitalet. Po ashtu, sfidë për ekzekutivin e ri do të jetë kriza energjetike, pas kolapsimit të një ofruesi të madh të energjisë. Koalicioni ka thënë se planifikon që ripunojë buxhetin e shtetit për vitin 2022, me qëllim që të zvogëlojë deficitin e lartë.
“Qeverinë e re e pret një periudhë e vështirë dhe shumë sfida… unë dua që ajo të jetë qeveri e ndryshimeve për të ardhmen”, tha Fiala gjatë një konference për media, duke shtuar se ai pret që kabineti qeverisës të votohet në mesin e muajit dhjetor.
Kryeministri i ri çek po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 dhe ka lavdëruar stafin shëndetësorë për punën e tyre, teksa rastet e reja me koronavirus janë në rritje.
Vetëm 58.5 për qind e çekëve janë të vaksinuar kundër koronavirusit. Kjo shifër është më e ulët sesa mesatarja e vaksinimit në Bashkimin Evropian, që është 65.8 për qind.
Presidenti çek Zeman mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit, por ai ishte i ndarë nga të tjerët përmes një xhami mbrojtës, pasi është diagnostikuar me koronavirus.
Qeveria e Babishit më 25 nëntor ashpërsoi masat kundër koronavirusit, përfshirë edhe ndalimin e tregjeve të Krishtlindjes.