“Jam i sigurt që normalizimi i marrëdhënieve, në fund do të nënkuptojë një lloj njohjeje të Kosovës nga Serbia”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Wolfgang Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën dhe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, duke komentuar letrën e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.
Petritsch thekson se BE-ja është më e kujdesshme në lidhje me çështjen e Kosovës dhe se zgjidhja “nuk është pas qoshes”.
“Për mua, në këtë moment, është çështje shumë me rëndësi se çfarë mund të bëjë BE-ja, jo vetëm kur bëhet fjalë për Serbinë, për t’ua mundësuar vendeve të rajonit që të kenë qasje në programet evropiane që deri më tani ishin të rezervuara vetëm për vendet anëtare. Ky do të ishte mjet ndihmues për të lidhur gradualisht, hap pas hapi, Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian. Pritja dhe shtyrja, për shkak se Franca dhe Holanda nuk e duan zgjerimin së shpejti – është strategjia më e keqe sepse është në favor të Rusisë dhe Kinës,” tha Petritsch./Rel