Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se si masë parandaluese, ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të fondeve për zbatimin e programit IPARD II.
Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, nga takimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE), u shpreh e prerë se nëse Shqipëria do të marrë fondet nga Bashkimi Evropian, duhet të plotësojë disa kushte.
“Nuk ka drekë falas, e për rrjedhojë nuk ka fonde falas. Nëse Shqipëria do të marrë fondet nga BE, duhet të plotësojë kushtet. Megjithatë ne jemi në rrugën e duhur, por kemi ende shumë punë për të bërë. E rëndësishme është që ju nuk jeni vetëm. Ndonjëherë duket sikur do kaloni majen, Dajtin, por nuk jeni vetëm, keni njerëz përkrahë. BE e ka besimin që ju do ia dilni. Shqipëria i ka kapacitetet për ta bërë këtë”, u shpreh ambasadorja Hohmann.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi thotë se vendimi I BE për të pezulluar fondet për bujqësinë, është një goditje e rëndë që ka marrë jo vetëm sektori, por edhe integrimi.
“Vendimi i BE, për të pezulluar financimin e bujqësisë dhe fermerëve shqiptarë për shkak të korrupsionit qeveritar, është një prej goditjeve më të mëdha që ka marrë vendi në rrugen e integrimit europian, në dekadën e fundit. BE ka vendosur gjithnjë kushte dhe kritere, ka ushtruar presion ndaj autoriteteve duke kërkuar standarde dhe demokraci. Por ky është nga rastet e rralla që pezullohet një projekt, ndalohen fondet aq të nevojshme për bujqësinë tonë, për shkak se qeveritaret, zyrtarët, ministrat, pra qeveria e Edi Ramës, vjedh. Vjedh në këtë rast paratë që vijnë nga taksapaguesit europianë. Ky akt i BE që vjen pas një hetimi të gjatë që ata vetë kanë bërë, tejkalon çdo analizë, çdo raport progresi, çdo lëvdatë e formalizëm, dhe tregon gjendjen reale, nxjerr haptazi në dritë si funksionon qeveria e Edi Ramës, ku drejtuesit dhe ministrat e tij, duan para në dorë për çdo projekt.” Shkruan Bardhi.
Sipas tij, pas hetimit të BE drejtesia jonë duhet të vinte para përgjegjesisë penale, Ministren e Bujqësisë.
“Pas këtij hetimi të BE, gjëja më normale do të ishte që drejtesia jonë të vinte para përgjegjesisë penale, Ministren e Bujqësisë, e cila para se të promovohej nga Rama ka qene shefe e AZHBR, direkt përgjegjese për fondet bujare të BE që janë abuzuar këtu. Është e papranueshme që fermerët e bujqit tanë punëtorë e të varfër, të ndëshkohen për hajdutërinë e qeverisë së Edi Ramës. Teksa nuk ju gjendet në krah, kjo qeveri u bën edhe më keq, duke ndaluar kështu një projekt jetik si IPARD, për shkak të vesit që Rama dhe të tijtë kanë për të vjedhur. Pas ketij vendimi të BE, nuk ka më asnjë justifikim për Kryeministrin, asnjë fjalim të dalë boje për përgjegjësi personale. Ai është i rrethuar nga të korruptuar nga bujqësia te financat, nga mbrojtja te diplomacia, nga shëndetësia te punët publile, e në çdo sektor të qeverisjes. Sepse, ai vetë është në krye, është bosi i korrupsionit.”, shprehet kreu I Grupit të PD, Gazment Bardhi.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se ndihma financiare e BE për bujqësinë u ndërpre për shkak të korrupsionit. Meta thotë se kapja e shtetit do të sjellë pasoja edhe më të rënda.
“Sikur të mos mjaftonte deri tani nënfinancimi në ekstrem i bujqësisë nga Buxheti i Shtetit, duke e renditur vendin të fundit në rajon dhe Europë dhe sidomos me një diferencë skandaloze të mbështetjes krahasuar me fqinjët, tani bujqësisë se rrënuar në mbijetesë i ndërpritet edhe ndihma financiare nga Bashkimi Europian për shkak të korrupsionit shpërthyes. Kapja totale e shtetit dhe drejtësia me regji do të sjellin pasoja edhe më të rënda për vendin dhe qytetarët tanë sepse korrupsioni dhe pushteti me çdo cmim janë të vetmet qëllime të “Rilindjes”, shkruan Meta.
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pezullimin e fondeve IPARD II për bujqësinë nga KE. Për Bashën, ku pezullim tregon se si kjo qeveri nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE. Ai i bën thirrje SPAK që të hetojë këto skemat korruptive, ndërsa thekson edhe njëherë propozimin e tij që të gjithë politikanët duhet t’i nënshtrohen vetting-ut, hetimit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre si dhe marrëdhënieve me persona të botës së krimit.
“Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve! Ky duhet të jetë hapi i dytë i domosdoshëm pas hetimit dhe dënimit të personi që ka abuzuat me fondet publike. Është e domosdoshme të kryhet hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare dhe i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë tek kryeministri, shkruan nder te tjera Lulzim Basha
Ish-kryeministri Sali Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar pezullimin e fondeve IPARD II për bujqësinë nga KE. Berisha thotë se janë pezulluar për shkak të vjedhjes, ndërsa i bën thirrje BE që të hetojë edhe fondet që jepen për infrastrukturën.
“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare. Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave.
Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, tha Berisha.