Dr. Jorgji KOTE
Po, mjafton të lexosh faktet e mëposhtme dhe bindesh se kjo pikë madhore gjeopolitike, e cila ndihmon shumë për të kuptuar sjelljet dhe qëndrimet gjeopolitike kineze dhe zbatimin e strategjitë të duhura perëndimore për t’i bërë ballë me sukses sfidave të sotme madhore kineze, është ish Kancelari i shquar gjerman Helmut Schmidt ( 1918 – 2015).
Fillimisht sqarojmë se Schmidt në Gjermani konsiderohet “kancelar i zemrave“, në sondazhet e zhvilluara ai renditet mbas Adenauer-it. Është ndër të paktët politikanë multidisiplinorë gjermanë dhe botërorë në fushën e Europianizmit, financave, mbrojtjes dhe sigurisë, ideatori i Euros bashkë me mikun e tij të jetës, ish Presidentin francez Giscard d’Estaing; themelues i G- 7, ideatori dhe lançuesi i ”vendimit të dyfishtë“ ndaj Rusisë në vitet 80, domethënë negociata me ish Bashkimin Sovjetik të shoqëruara me vendosjen e raketave amerikane ”Persching“.
Mjeshtër i papërballueshëm i fushatave zgjedhore, orator i rrallë i mbiquajtur ”gjuhëshpati“ dhe pragmatist ose ”bërës” ( macher). Politikan me integritet të padiskutueshëm, për të cilin nuk pati asnjë aludim apo insinuatë për ndonjë aferë ose skandal.
Si një përjashtim i vetëm, Akademisë Ushtarake në Hamburg që ai themeloi i dhanë emrin e tij qysh për së gjalli. Përbën ndër rastet e rralla në botë kur 32 vjet pas largimit nga politika aktive deri ditën që mbylli sytë, u bë dhe më i famshëm falë aktivitetit të tij publicistik me 30 ”best seller“ me qindra shkrime dhe ligjërata në botë mbi aktualitetet e nxehta në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nisur nga këto vlera të personalitetit të tij poliedrik, si burrë shteti i një vendi të madh si Gjermania, Schmidt ishte këshilltar dhe pikë referimi për politikanët më të lartë gjermane, të majtë dhe të djathtë dhe jashtë Gjermanisë, ” njeriu më i mençur në botë” siç e ka cilësuar miku i tij i ngushtë politik Dr. Henry Kisinger.
Theksojmë se në veprimtarinë e tij derisa u nda nga jeta në Dhjetor 2015, Kina zë vend të veçantë. Eksperti sinolog i DW, Frank Sieren thotë se ” askush tjetër, veç Kisingerit nuk është marrë aq herët, aq gjatë dhe me me aq shumë interes me Kinën sa Kancelari Helmut Schmidt”, plot 40 vjet në nivelet e saj më të larta.
Ishte i pari Kancelar gjerman që vizitoi zyrtarisht Pekinin më 1975, ku takoi Mao Ce Dunin ( shih foton më poshtë) dhe liderët e tjerë të lartë. Këto vizita dhe takime ai i vijoi dhe mbas largimit nga politika aktive.
Në vitin 1990, sërish ishte politikani i parë i lartë perëndimor që shkoi në Kinë si ndërmjetësues dhe takoi Ten Hsiao Pinin (shih foton më poshtë), në përpjekje për forcimin e krahut reformator. Idetë dhe mendimet e tij mbi Kinën u vlerësuan dhe nga Presidenti amerikan George Bush
Më vonë, më 2003, ai u takua në Panairin e Hanovrit me Kryeministrin Wen Jiabao. Për herë të fundit, megjithë moshën e thyer 94 vjeçare ai e vizitoi Pekinin më 2012, ku takoi ish Kryeministrin Zhu Rongji dhe Presidentin e ardhshëm Xi Jinping. Ky i fundit, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare si President në Mars 2014 në Berlin kërkoi dhe zhvilloi takim me Schmidt. ( shih foton më poshtë)
Schmidt ka theksuar në disa intervista dhe veprimtari publike se interesi dhe vizitat e tij në Kinë nuk lidhen me ndonjë pasion turistik, historik apo ndonjë sinofobi të tij. Arsyeja kryesore është se duke e njohur mirë Kinën, Gjermania dhe Europa mund të hartojnë dhe zbatojnë strategji dhe programe veprimi efektive.
Këto fakte tregojnë se analizat dhe qëndrimet afat-gjatë në marrëdhëniet me Kinën kërkojnë detyrimisht t’i drejtohemi veprës dhe ndihmesës së jashtëzakonshme të Helmut Schmidt. Ndaj, më poshtë po ndalemi në disa nga mësimet dhe përfundimet e tij kryesore mbi Kinën.
Së pari, Schmidt thekson me keqardhje hendekun midis njohjes me të mirë të lidershipit të lartë kinez të Perëndimit dhe të këtij të fundit me plot mangësi mbi Kinën. Deficitet perëndimore në njohjen e problematikave, veçorive, dallimeve dhe zhvillimet kineze shpjegojnë dobësitë në politikat dhe qëndrimet ndaj Kinës.
Së dyti, Schmidt nënvizon vlerat e shumta të qytetërimit 5 mijë vjeçar kinez, që ndryshe nga qytetërimet e tjera të famshme që janë zhdukur me kohë ka mbetur i gjallë dhe vital. Me këtë rast ai rikujton se në Shekullin e XV Kina ishte në kulmin e këtij qytetërimi, nga ndërtimi i anijeve, shtypshkronjat e deri te teknologjitë ushtarake. Ky zhvillim shkoi më vonë në Europë dhe në Amerikën Latine.
Së treti, me shumë rëndësi është fakti se qytetërimi kinez në përgjithësi ka patur karakter paqësor, duke mos i rënë në qafë askujt. Kina nuk ka patur asnjëherë synime dhe dukuri imperialiste dhe pushtuese. Ai sjell shembullin e Admiralit të famshëm kinez në shekullin e XV, Zheng He, i cili nuk e përdori asnjëherë flotën detare për të sulmuar të tjerët.
Përkundrazi, vendet e tjera koloniale perëndimore, ndërmjet të cilave dhe Gjermania, Japonia, dihet se bënë invazione koloniale në Kinë. Schmidt depërton thellë në zhvillimet e saj deri me ardhjen në pushtet të komunistëve me Mao Ce Dunin dhe zhvillimet kineze deri në vitin 1990. Ai e vlerëson Kryetarin Mao si ”njeri shumë impulsiv, karizmatik, që nuk të hiqet nga mendja dhe me dhunti”. Gjithsesi, ai kritikon lëvizjen e madhe politike të viteve 50 dhe Revolucionin Kulturor. Ndërkohë, vlerëson reformat ekonomike të Ten Hsio Pinit, të cilin e konsideron udhëheqësin më të madh komunist të të gjithë kohërave.
Së katërti, Schmidt evidenton prirjet e sotme të Kinës, në përpjekje për të kombinuar sa më drejt komponentët dhe aspektet tradicionale me zhvillimin modern të një vendi super të madh, larg nacionalizmit dhe konfrontimit që janë me pasoja për një vend të tillë gjigand. Ai shprehet i mahnitur nga përparimet e mëdha të realizuara sidomos gjatë dhjetëvjeçarit 2010 – 2020, duke dhënë si shembull dyfishimin e të ardhurave për frymë! Po ashtu, Schmidt evokon përparimet në fushën e industrializimit të një lloji të veçantë, arritjet në fushën e teknologjisë, modernizimit të bujqësisë, teknologjisë, etj.
Në këtë kuadër ai evidenton Presidentin Xi Jinping dhe synimet e tij strategjike për të realizuar ëndrrën kineze, dëshirën për paqe, reformimin e Partisë, socializmin kinez, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e mjedisit, luftën ndaj smogut, etj.
Së pesti, një përfundim interesant është se kinezët vërtet kanë ”robëruar botën”, por pa dhunë ushtarake. Schmidt le të nënkuptojë se do të ishte mirë që miqtë amerikanë të kishin mësuar dhe të vepronin po kështu!
Më tej, Schmidt sugjeron që Perëndimi është më mirë të heqë dorë nga arroganca dhe dhënia e leksioneve për udhëheqjen e lartë të Kinës. ”Do të ishte më e udhës që ai ta zëvendësonte arrogancën me konkurrencën e ndershme”
Së gjashti, sipas tij, “Europa duhet të realizojë synimet e saj në botë në bashkëpunim me Kinën“. Këtu na vjen ndërmend debati që lindi pas kthimit të Presidentit Macron nga vizita e tij në Pekin më 7 Prill 2023 kur deklaroi se Europa duhet të ketë politikën e saj kundrejt Kinës, të pavarur nga SHBA-të, çka krijoi debate dhe diskutime të shumta.
Kjo tezë, pavarësisht nga kundërshtitë, ka logjikën e saj, sepse dihet se Europa, Gjermania, Franca, etj kanë krijuar për fajin e tyre një varësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe tregtare nga Kina, shumë më të madhe se nga Rusia. Kështu që dhe në qëndrimet ndaj Kinës do ndjekur parimi “mat shtatë herë dhe prit njëherë”. Ndaj dhe Gjermania kohët e fundit po bën demarshe të gjithanshme në Brazil, me qëllim që të konkurrojë ekonomikisht me projekte me Kinën, ashtu si dhe BE-ja që ka shpalosur programin e saj me 600 miliard Euro në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, si kundërpeshë ndaj nismës kineze ” Një brez, një rrugë”.
Së shtati, një komponent tjetër i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me kërkesat dhe trysninë perëndimore për të drejtat e njeriut, çështjet e Tibetit, të Xinjiang-ut etj. Për këtë, Schmidt tha se ”unë nuk kam të drejtë t‘u kërkoj të tjerëve të zbatojnë këto të drejta, të cilat nuk janë universale”.
Në fakt, pavarësisht nga rezervat dhe kundërshtimet normale në demokraci, këtu praktika ka treguar se Schmidt si politikan pragmatist ka të drejtë. Fakt është se presioni ndërkombëtar perëndimor ndaj Kinës në 34 vitet e fundit nuk ka munguar dhe është shprehur në të gjitha vizitat e niveleve më të larta në Pekin dhe në metropolet Euro-Atlantike dhe me sanksione të shumta. Por, rezultati është pothuajse asgjë, sepse Kina në të drejtën e vet thotë se ka standardet e veta dhe në këtë fushë, sikurse dhe demokracinë e saj alternative konsultative. Dhe se demokracia liberale perëndimore nuk është dogmë, madje ajo po rrudhet dhe në vetë vendet më të përparuara perëndimore në favor të ekstremizmit, populizmit dhe ”izmave” të tjerë negativë. Për të qenë të sinqertë, në epokën e globalizmit, kur ti kërkon të nxjerrësh sa më shumë përfitime ekonomike dhe tregtare nga Kina dhe vende të tjera të mëdha si Brazili, India, etj dhe nga ana tjetër ta kushtëzosh këtë me diplomacinë etike, dmth me respektimin prej tyre të të drejtave të njeriut, kjo mund të jetë e drejtë në parim, por në praktikë nuk funksionon.
Në përfundim, kanë kaluar rreth 8 vjet qëkurse i ndjeri Kancelari Schmidt ka mbyllur sytë. Por, pavarësisht nga nuancat e rastit, logjika gjeopolitike, argumentat dhe sugjerimet strategjike të ish Kancelarit emblematik gjerman mbi Kinën dhe gjeopolitikën e saj, natyrisht me përshtatjet e rastit mbeten të drejta dhe të vlefshme.
Tanimë, përpunimin e ideve dhe mendimit të tij politik me dinamikat e rastit i vijon me objektivitet historik Fondacioni prestigjioz ” Helmut Schmidt”
© 2023 Argumentum