Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë u mblodhën sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për Planin e ri të Rritjes Ekonomike të rajonit.
Maqedonia e Veriut është pritese e takimit të liderëve nga rajoni kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.
Në takim, përveç kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, marrin pjesë edhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Milojko Spajiq, kryeministër i Malit të Zi, Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm për negociatat e fqinjësisë dhe zgjerimit në Komisionin Evropian, si dhe James O’Brien, ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit i për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Përmes video-lidhjes, në takim do të marrë pjesë edhe Borjana Kristo, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa të pranishëm janë edhe përfaqësues të më shumë organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve.
Kovaçevski në deklaratën e tij para fillimit të takimit u shpreh se ky është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Qëllimi është, siç e kemi paralajmëruar, të diskutohet plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor, i cili paraqet një veprim vërtet konkret të BE-së në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve, por edhe të tregut të përbashkët evropian”, tha Kovaçevski.
Vuçiq, nga ana e tij, tha se për të është e rëndësishme çdo ndihmë që mund t’u ofrohet kompanive dhe bizneseve.
“Besoj se takimi jonë i sotshëm, si dhe takimet që kemi mbajtur mbrëmë, janë të rëndësishëm për përparimin dhe zhvillimin e gjithë rajonit. Kemi biseduar me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së për planin e rritjes dhe do vazhdojmë diskutimin edhe sot”, tha Vuçiq.
Ndërkaq, Rama tha se plani parasheh qasje në tregun evropian, gjë që deri tani ka qenë e mundshme vetëm për vendet anëtare.
“Më duhet të them se ky është një takim me të vërtetë shumë i rëndësishëm pasi jemi këtu për të bërë bashkë mendimet tona me përfaqësuesit e BE-së dhe administratës amerikane për një hap të madh që duhet ta ndërmarrim për t’iu afruar BE-së”, u shpreh Rama.
Po ashtu edhe Kurti u shpreh se vendi i tij në takim do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, në qendër të të cilave është reforma në administratën publike.
“Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare. Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merren varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që tregojmë”, tha Kurti.
Deklaratë për media kishte edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili u shpreh se plani i rritjes është një sinjal i fuqishëm për kompanitë.
“Mali i Zi, si të gjithë të tjerët, është i kënaqur që është pjesë e këtij koncepti. Plani i rritjes së BE-së paraqet një mundësi të madhe për të gjithë ne. Mezi presim t’ia fillojmë dhe dëgjojmë se është e mundur ta kemi që nga ky vit dhe mendoj se është një sinjal shumë i rëndësishëm jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për bizneset që duan të investojnë në Ballkanin Perëndimor”, tha Spajiq.
Zyrtari evropian Koopman u shpreh se nëse zbatohet koncepti, ka potencial për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të rajonit.
“Është shumë inkurajuese të shohësh sesi rajoni e ka përqafuar këtë koncept, po punon shumë për reformat që do të ndihmojnë në lançimin e kësaj rritjeje dhe tashmë është shumë aktivisht i angazhuar. Sot, liderët do të diskutojnë tregun e përbashkët rajonal dhe integrimin e rajonit në mënyrë progresive në tregun tonë të brendshëm”, tha Koopman.
O’Brien: Plani i ri i BE-së dallon nga ofertat paraprake
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.
Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.
“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.
Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.
“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.
Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara, dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.
“Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin”, ka deklaruar Kopman në konferencë.
Çfarë përmban plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.
Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.
Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.
/Argumentum.al