Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjatë prezantimit të të ashtuquajturit plani i paqes për Lindjen e Mesme, njoftoi se Kudsi do të njihet si kryeqyteti i “pandarë” i Izraelit dhe se plani është shans i fundit për palestinezët.
Trump, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, bëri të ditur njëanshëm për publikun planin e paqes për Lindjen Mesme, të cilin ndryshe e kanë emëruar si “Marrëveshja e Shekullit”.
Ai theksoi se i ashtuquajturi plani paqes përbëhet prej 80 faqesh, duke pohuar se plani përmban pika shumë të vlefshme edhe për palën izraelite, edhe për atë palestineze.
Trump, në fillim të fjalimit të tij, njoftoi se në kuadër të të ashtuquajturit plani i paqes për Lindjen e Mesme, Kudsi do të njihet si kryeqyteti i “pandarë” i Izraelit.
Presidenti amerikan theksoi se plani i tij parasheh një shtet të pavarur për Palestinën me kryeqytet në një zonë në lindje të Kudsit, dhe se nëse marrëveshja zbatohet, palestinezët do të kenë tokë dy herë më shumë sesa sot.
Në kuadër të planit, ai tha se Izraeli është i gatshëm që t’i negociojë kushtet e “shtetit palestinez që do të themelohet në të ardhmen”, duke theksuar se qëllimi i tyre është njohja e shteteve izraelite dhe palestineze si shtet-kombe.
Periudhë katërvjeçare për Palestinën
Sipas të ashtuquajturit plani i paqes, Trump potencoi se parashikojnë një periudhë katërvjeçare që Palestina t’i përmbushë kriteret e nevojshme që të bëhet shtet i pavarur.
Trump tha se në këtë kuadër janë duke synuar zbatimin e një plani ekonomik në vlerë prej 50 miliardë dollarësh, për të cilin pohoi se do të ringjallë ekonominë palestineze.
Trump gjithashtu tha se plani në fjalë është “shansi i fundit” për një shtet të pavarur palestinez dhe për palestinezët.
Nuk do të ndryshohet statusi i Mesxhid al-Aksasë
Nga ana tjetër, Trump theksoi se statusi i Mesxhid al-Aksasë nuk do të ndryshohet, duke shtuar se Izraeli do të vazhdojë garantimin e sigurisë së këtij rajoni dhe do të vazhdojë të sigurojë që muslimanët t’i kryejnë adhurimet e tyre në Aksa.
Trump, në lidhje me këtë, tha se ashtu sikurse deri më sot, do të ruhet pozicioni i veçantë i Jordanisë dhe se ky vend do të vazhdojë të punojë me Izraelin.
Netanyahu shpalosi detajet e planit
Më pas, kryeministri izraelit, shpalosi detajet e të ashtuquajturit plan i paqes për Lindjen e Mesme të Trumpit.
Ai planin e cilësoi “si një përfitim shumë i madh dhe historik për Izraelin”, duke theksuar se në kuadër të tij, SHBA do t’i njohë si territor izraelit vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Netanyahu gjithashtu tha se sipas planit të Trumpit, Izraeli do të vazhdojë sundimin mbi Luginën e Jordanit.
Plani nuk parasheh të drejtën e rikthimit të refugjatëve palestinezë
Sipas planit amerikan, rreth gjashtë milionë refugjatë palestinezë nuk do të kenë të drejtë për rikthim, njoftoi Netanyahu, duke pohuar se plani do t’i japë kontribute të mëdha paqes së rajonit.
Planin, të cilin presidenti i Palestinës Mahmud Abbas e ka quajtur si “Shuplaka e Shekullit”, kritikohet se përveç disa ndihmave ekonomike, nuk përfshin asgjë në favor të popullit të Palestinës.