Ekipi i ri negociator zyrtar i Prishtinës për bisedimet me Beogradin në Bruksel ka rënë dakord me atë që ai e quan një “Platformë Dialogu” për negociatat mbi një marrëveshje përfundimtare dhe të detyrueshme ligjore për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke përfshirë një kërkesë që Beogradi zotohet të njohë Kosovën.
Platforma e negociatave, të cilën BIRN e ka parë, iu dërgua të premten në kryetarit të parlamentit Kadri Veseli dhe së shpejti do të kalohet në votim.
Parimi i parë i dakorduar nga negociatorët thotë se qëllimi kryesor i Kosovës është të sigurojë njohje nga Serbia me katër premtime ligjore, duke përfshirë heqjen dorë të kundërshtimeve të Beogradit për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Dokumenti i platformës thotë se Prishtina dëshiron “ndalimin e të gjitha veprimtarive që pengojnë Kosovën në rrugën drejt njohjes së saj ndërkombëtare si një vend i pavarur dhe sovran; respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës; ndalimi i kundërshtimeve apo inkurajimi i palëve të treta për të kundërshtuar aplikimin e Republikës së Kosovës për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në, Këshillin e Europës, OSBE-në dhe agjencitë e tyre; si dhe heqjen dorë nga të gjitha llojet e ndërhyrjeve në çështjet e brendshme apo në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”.
Platforma këmbëngul se një marrëveshje përfundimtare me Beogradin duhet të përfshijë një marrëveshje për krijimin e një gjykate të re “për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999”.
Sugjerimi i një gjykate të re për të gjykuar serbët vjen ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës, një gjykatë me bazë në Hagë e ngritur për të gjykuar ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të tjerë për krimet e kohës së luftës në Kosovë, përgatitet të ngrejë paditë e para.
Platforma e negociatorëve të Kosovës thotë gjithashtu se çështjet si personat e zhdukur gjatë luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara gjatë luftës duhet të bëhen pjesë e negociatave me Serbinë.
Platforma përfshin edhe një parim tjetër që thotë se territori i Kosovës nuk do të ndryshohet.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shkaktoi polemika vitin e kaluar kur sugjeroi se mund të kishte një “korrigjim kufitar” me Serbinë si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për të normalizuar marrëdhëniet.
Çështja shkaktoi një përçarje serioze midis Thaçit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kundërshton fuqishëm çdo ndryshim kufitar si shkëmbim territori me Serbinë.
Pas dorëzimit të platformës te kryetari i parlamentit, udhëheqësi i përbashkët i ekipit negociator, Fatmir Limaj, i bëri thirrje deputetëve ta miratojnë atë.
“Parimet janë ato që garantojnë paqen në këtë pjesë të rajonit. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova po shkon në Bruksel për njohje, asgjë më shumë,” tha Limaj për mediat.
Sipas platformës, marrëveshja përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit do të hyjë në fuqi vetëm pasi: a) Serbia të njohë Kosovën, b) në Kosovë të mbahet një referendum për marrëveshjen dhe c) marrëveshja të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve.”
Serbia është zotuar të mos e njohë kurrë ish-provincën e saj si të pavarur.
Bisedimet midis zyrtarëve nga Prishtina dhe Beogradi kanë vazhduar në Bruksel që nga viti 2013 dhe një rezultat i suksesshëm shihet si vendimtar për shpresat që të dy vendet të anëtarësohen në BE.
Megjithatë, bisedimet aktualisht janë pezulluar pas një debati për vendosjen e taksave nga ana e Kosovës për mallrat e importuara nga Serbia.