Realpolitik “ Flash” No. 45
3 – 16 MAJ 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM,
Shkurt dhe “shqip” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. JORGJI KOTE
1.Po dialogu ku është? Kjo pyetje shtrohet dhe pas 4 Majit kur në Berlin, Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz bëri bashkë Vuçiç me Kurtin, në prani të Ndërmjetësuesit të BE-së Lajcak dhe atij gjerman, Sarrazin. Ishte demarshi i parë i Kancelarit Scholz për të trajtuar një temë që ka hyrë në qorrsokak. Me ndërmjetësues, nga BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, plot fjalë e premtime, po dialogu s’duket gjëkundi; ka vetëm “tërheqje litari”. Sepse dialogut i mungon tabani, baza, dhe mjedisi i nevojshëm, jo në kuptimin e tryezave, pijeve dhe specialiteteve kulinare europiane, por mjedisi politik, dmth mirëkuptimi dhe mirëbesimi midis dy palëve të interesuara. E çfarë dialogu mund të presësh kur Vuçiç, pa e “tretur” ende mirë darkën e Borrell më 11 Maj mbledh Këshillin Kombëtar të Sigurisë; sepse Kosova në të drejtën e vet si shteti i pavarur kërkon antarësimin në Këshillin e Europës. Ndërkohë, Beogradi çirret e bërtet, madje e fton Prishtinën në “Ballkanin e Hapur”! Çfarë hipokrizie dhe demagogjie! Dhe ne i “ mbajmë iso” dhe ia themi rezervat me gjysëm zëri!! Kur Serbia nuk njeh krimet, nuk denjon të njohë pavarësinë e Kosovës, dhe me shumë “nuk-e” të tjera. Kur ajo vazhdon, pa e “bërë qejfin qeder”, të luajë lojën e karrikes muzikore dhe tani, pas agresionit rus në Ukrainë, i vetmi vend që nuk bashkohet me sanksionet.
Ja pse, me shumë keqardhje e themi se nuk shihet asnjë rrugëdalje dhe dialogu mund të kthehet në “tërhiq e mos e këput”, pavarësisht ec e jakeve nga të gjitha anët; e dëshmoi dhe dështimi i tij më 13 Maj në Bruksel për targat.
2. Sebep për muhabet” ishte në kuptimin e mirë të fjalës Darka Informale e shtruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell më 11 Maj për 6 liderët e Ballkanit Perendimor dhe Takimi i Ministrave të Jashtëm më 16 Maj në Bruksel. Evente të tilla janë bërë “si simitet” për nga shpeshtësia, por nga shija që lenë, ku t’i gjesh simitet tona! Idea e paraardhëses Mogherini ishte e mirë, të mblidhen 6 liderët, në qetësinë e Brukselit, larg rrokopujës ballkanike, nën aromën e pijeve dhe delikatesave belgo/europiane, të flasin pa protokoll dhe miqësisht për hallet e rajonit. Për t’i çelur rrugën diskutimeve dhe veprimeve zyrtare. Mirëpo, në këto vitet e fundit është tepëruar aq shumë më to, sipas parimit “ korr e mos shij” sa që e kanë humbur kuptimin, interesin dhe jehonën publike. Edhe verën e kaluar u zhvilluan të paktën 10 samite rajonale, në atraksionet më të bukura turistike, në freskinë e detit, liqenit dhe alpeve. E megjithë këtë atmosferë joshëse dhe gazmore, jo vetëm nuk ka rezultate të prekshme, por gjërat po shkojnë “ nga shiu në breshër”. Së shpejti, bashkë me çeljen e sezonit të ri turistik, do të rifillojë “ gara” për këto samite, që shpresojmë të jenë më shumë se sebep për muhabet.

3. Europa e Re përballë Rusisë së Vjetër u shfaq më 9 Maj, Ditën e fitores kundër nazi-fashizmit dhe 72 Vjetorit të Deklaratës “Schuman” që shënon dhe Ditën e Europës. Kështu, në Parlamentin Europian në Strasburg, Presidenti francez, Macron, në praninë dhe me mbështetjen e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula vor der Leyen, dhe si Kryesues i rradhës i BE-së shpalosi vizionet për një Europë cilësisht të re, që t‘i bëjë ballë sfidave serioze madhore në të gjitha fushat, veçanërisht në politikën e jashtme dhe të sigurisë, energjitikë, shëndetësi, bujqësi, transport, mirëqenien sociale, etj.
Sipas Macron, në këtë arkitekturë të re europiane vend të veçantë do të zejë krijimi i “Bashkësisë së re Politike të Zgjeruar Europiane“. Për këtë kemi shkruar hollësisht në analizën “Qershori europian plot pritshmëri dhe të panjohura“ te ARGUMENTUM.
Më 9 Maj, përfundoi dhe konsultimi qytetar në të gjitha vendet antare mbi të ardhmen e BE-së; me mbi 3000 propozime që përfshijnë dhe rishikimin e traktateve të BE-së, etj. Gjithashtu, ndryshe nga sa pritej, Europa dhe Perëndimi me SHBA-të në krye shprehu dhe po realizon në praktikë kohezion politik, ekonomik, publik dhe ushtarak; Europa po bën një revolucion të vërtetë në politikën e jashtme dhe të siguisë ndërkombëtare; po ashtu, ajo po shfaq bujarinë, ndihmën dhe solidaritetin me popullin hero të Ukrainës dhe mesazhet për pranimin e saj si kandidat në BE bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
E kundërta ndodhi në Moskë ku u zhvillua tejet e sforcuar Parada tradicionale e 9 Majit. Më 24 Shkurt, kur Putin urdhëroi fillimin e agresionit ndaj Ukrainës, kishte menduar që 9 Maji 2022 t’i ngjante apo dhe t’ia kalonte Paradës madhështore të vitit 1945. Mirëpo, dështimet e shumta dhe të vazhdueshme në Ukrainë e zbehën së tepërmi shkëlqimin e saj. Kjo u duk në atmosferën, përmasat, armët e ekspozuara dhe fjalimin e Putinit, ku suksesi nuk ndihej askund, se për triumf as që bëhej fjalë! Më në fund, ai pranoi humbjet e shumta me ngushëllime për familjet e viktimave. Ndërkohë, motivimi i shtrisë ruse në Ukrainë nuk krahasohet me atë të Ushtrisë së Kuqe.

Shkurt hesapi, ishte paradë humbësish dhe ngushëlluese për “shpirtrat e trazuar“, shumë larg entusiazmit triumfues të 9 Majit 1945! Por keq po shkon puna dhe në fusha e tjera. Ekspertët dhe të dhënat flasin për “eksodin e Putinit“. Gjatë 4 muajve të parë të këtij viti janë larguar nga Rusia 3,8 milion vetë, vetëm në Prill 400.000 vetë! 60 për qind janë nën moshën 35 vjeç dhe 1/3 ekspertë të teknologjisë së lartë; 57 për qind e tyre kanë punë të sigurt dhe paga të kënaqshme, megjithatë, e shohin se nuk jetojnë dot më në Rusi. Ndërkohë, imazin ndërkombëtar i Rusisë ka rënë për tokë! Ndërsa Europa dhe Ukraina, pas Kievit dhe Charkivit, më 14 Maj fitoi dhe Eurovizionin në Torino!

5.OK, Zonja Ambasadore Juri Kim për intervistën më 12 Maj nga çdo anë. E balancuar, me përmbajtje, korrekte, sqaruese dhe informuese! Kësisoj, shuajti jo pak hamendësime, rezerva dhe kritika ndaj saj. Vërtet qëndrimet e saj janë zyrtare, por dihet se Ambasadori i një vendi, sidomos i SHBA-ve, ka hapësirë të madhe veprimi, në mënyrë që mesazhet të jenë përherë korrekte, pa krijuar kundërshti e debate në publik. Pastaj, Qendra udhëzon Çfarë të bëhet, ndërsa Ambasadori vendos SI bëhet një veprim diplomatik. Së fundi, vizita e Pompeo në Tiranë ishte lëvizje e mençur që flet më shumë se fjalët.
© 2022 Argumentum