Realpolitik “ Flash” No. 51
1 – 16 GUSHT 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
Dr. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh
1. Po Yuri Kim, ku është? Kjo është pyetja e natyrshme pas ngjarjes tragjike në Himarë, ku vogëlushja 7 vjeçare Jonada u coptua nga gomonja e fuqishme e një kryekomisari policie. Gjithandej mesazhe, por jo nga Ambasadorja amerikane Juri Kim. Nuk ra në sy për mirë, nisur dhe nga dhimbja me përmasat tragjike të ngjarjes, përgjegjësinë e madhe të strukturave qeveritare dhe të policisë; ca më tepër se deri tani vonë, Juri Kim nuk ka lënë lajm dhe ngjarje pa u prononcuar, deri te specialitetet kulinare që shijon në rrethe të ndryshme të vendit. Menduam se mund të ishte me pushime, por, jo, se po atë ditë, ajo përshëndeti emërimin e Shefi të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë; a thua se ishte ndonjë problem i madh! Pritëm më kot, por asgjë prej saj për vogëlushen e ndjerë që erdhi nga Britania e Madhe për të pushuar e qetë dhe sigurt në plazhet tona të bukura! Nëse Juri Kim kishte një rast për t’u shprehur pas një periudhe të gjatë kohe, pse jo dhe duke kritikuar nje herë të vetme qeverinë, ky ishte pikërisht Potami i 2 Gushtit! Mirëpo, mesa duket, Juri Kim ka vendosur të shfaqet vetëm në ditë me diell!
2. Pelosi në Tajvan, po pastaj? Është fjala për vizitën e sforcuar të Presidentes së Kongresit amerikan, politikanes 82 vjeçare Nancy Pelosi në Tajvan më 3 Gusht, me rezultatet dhe pasojat e njohura. Vizitë e diskutueshme dhe kundrathënëse dhe vetë brenda kampit demokrat që e ka tensionuar më tej gjendjen atje. Pavarësisht nga guximi dhe vendosmëria e admirueshme e Pelosit, si dhe në disa raste të mëparshme, diplomacia amerikane nuk i dha përgjigje pyetjeve gjeopolitike, “po pastaj, çdo të ndodhë“? A do ta njohë SHBA-të Taivanin? A do të qetësohet situata? A ka leverdi SHBA-të të hapet një front tjetër tensioni dhe konflikti tani që Rusia po Lufton në Ukrainë dhe kur në Ballkan po shfaqet në horizont rreziku i ri serb dhe rus? Çfarë problem zgjidhi kjo vizitë, dhe në fund të fundit, a pati më shumë qar apo zarar? Vështirë t’u japësh përgjigje pozitive këtyre pyetjeve, sidomos lidhur me pasojat gjeopolitike. Në fakt, sot më tepër se kurrë liderëve politikë amerikanë u kërkohet përgjegjshmëri dhe shmangie e çdo provokimi, lehtësimi dhe jo vështirësimi i gjendjes në Tajvan. Diplomacia ka mënyra dhe mjete të tjera efikase për të kapërcyer situata të tilla dhe SHBA-të kanë plot shembuj pozitivë në këtë fushë.
3.Rama& Erdogan, Kallkan!! Më 10 Gusht, Kryeministri Rama u takua në Ankara me Presidentin turk Erdogan. Si sebep shërbyen Lojrat Olimpike Islamike. Nga zyra e Kryeministrit Rama takimi u përshkrua ”si gjithmonë vëllazëror“, aty u diskutuan problemet e krizës energjitike dhe të ushqimit. Mirëpo, fotoja e Erdoganit tregonte qartë se ai takim ishte “kallkan“. Ndryshe nga më parë, Erdogan shfaqet i ngrysur, i ftohtë akull. Veç kësaj, pala turke nuk tha asnjë fjalë dhe koment, nuk dha fare njoftim qoftë dhe të thatë shtypi. Dukej si vegim i largët shkëlqimi i pritjes me kuaj dhe topa në Janar 2021 në Stamboll; nuk e pamë Erdogan t’i tregonte zyrën Ramës ose të paktën dhuratën e veçantë që ai bëri në Tiranë në janar të këtij viti; asgjë nuk tha as Rama pas kthimit, as për rezultatet Olimpike; një heshtje varri që fliste shumë për mosmarrëveshjet që kanë dalë në sipërfaqe lidhur me gjylenistët, ultimatumin e Erdoganit në Kuvendin e Shqipërisë për mbylljen e bizneseve dhe shkollave nën ndikimin e tyre dhe pastrimin e Kryesisë së Komunitetit Mysliman, pezullimin e ndërtimit të xhamisë së Sulmejman Beut, etj. Ndaj nuk është tepërim të thuhet se atmosfera e takimit ishte kallkan. Urojmë të kalojë kjo situatë dhe gjithçka të jetë për hajër. Sepse Rama&Erdogan kallkan është produkti i një politike dhe diplomacie amatoreske, pa bosht dhe pa frena. Nga pësimet prej saj, duhen nxjerrë sa më shpejt mësimet e duhura.
4. Kambanat bien për Ballkan i Hapur! Po, dhe jo e një e dy, por shumë dhe gjithandej. Serbia po përgatitet për luftë dhe pse flet për paqe. Bashkë me ftesën formale për në Ballkan i Hapur ajo i dërgon çdo ditë Prishtinës sinjale dhe ultimatume lufte. Vetëm pse kjo e fundit kërkon zbatimin e një marrëveshjeje të gati 10 viteve më parë. Rusia e cila ka kohë që është vënë në mbështetje të Beogradit ka njoftuar ndërtimin e një baze të madhe ushtarake në Serbi, ndërsa kjo e fundit ka shtuar në miliarda Euro shpenzimet e luftës. Po përse dhe nga i vjen rrzeziku, kur Vuçiç me altoparlantët e Tiranës çirren dhe bërtasin për Ballkanin e Hapur? Çka detyroi NATON të përgjigjet dhe ajo me gjuhën e forcës në rast të një provokimi serb. Nga ana tjetër, Europa dhe SHBA-të po kalojnë kudo ” në vrimë të gjilpërës” nismat dhe proceset e ndryshme rajonale, madje dhe Procesin e Berlinit. Me qëllim që të shihen aspektet dhe garancitë politike, pa të cilat, siç e tregoi qartë agresioni rus ndaj Ukrainës, nuk mund të ketë paqe, as bashkëpunim ekonomik dhe tregti të lirë e të hapur, as Shengen ballkanik. Vetëm protagonistët e kapur të ”Ballkan i Hapur” nuk duan t’i dëgjojnë këto kambana alarmi; ngaqë ata i ”kanë hipur kalit mprapsht”! Kambanat po bien fort dhe në Podgoricë, ku më 18 Gusht Kryeministri Abazoviç, që e mbështeti mbi baza personale rrezikon të bjerë. Nuk po hyjmë te Bosnia dhe Hercegovina me problemet e njohura, ku sërish rreziku i vjen nga pala serbe. Kambanat po bien dhe në Shkup e sidomos në Tiranë. Zërat kundër Ballkanit të Hapur që bie erë po shtohen. Sepse në këto tre vite, ai nuk na afroi, por na largoi, nuk na pajtoi, por na shtoi grindjet dhe mes vedi, nuk qartësoi, por vetëm ngatërroi. Ndaj dhe kambanat e alarmit tani po ushtojnë fort, shumë fort. Mjerë ata që nuk duan t’i dëgjojnë!
Së fundi, nëse zgjidhja magjike, do të ishte antarësimi në Ballkanin e Hapur, Berlini, Brukseli dhe Uashingtoni nuk do ta kishin problem të na futnin të gjithëve atje dhe ”këtu mbaronte filmi”. Mirëpo, a do të mund ta gëlltisnin ato dështimin demek të Procesit të Berlinit dhe të Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit dhe t’i jepnin ” kupën e kampionit Ballkanit të Hapur? Kursesi, sepse Berlini dhe Brukseli ”na dalin dhe tepërojnë”!
© 2022 Argumentum