Janë dy nene në Kushtetutën e Shqipërisë që i referohen rastit të dorëheqjes së Presidentit të Republikës, neni 88 dhe neni 91 i Kushtetutës.
“Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që bëhen pas dorëheqjes së tij”
Neni 88 i Kushtetutës së Republikës
“Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij, ose kur vendi mbahet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”
Neni 91 i Kushtetutës së Republikës
Konstitucionalisti Sokol Hazizaj thotë për A2 CNN se të dy parashikimet kushtetuese i referohen pamundësisë së kreut të shtetit për të ushtruar detyrën.
“Akti i dorëheqjes nuk parashikohet për këto motive, por parashikohet vetëm në pamundësi të ushtrimit të detyrave dhe funksioneve të tij.
Që do të thotë se nuk lidhet me krizën, madje Presidenti është ai që me staturën që ka dhe me detyrat që ka, në Kushtetutë shërben si organizator i zgjidhjes së krizave”, thotë Haziazj.
Ai ngre pikëpyetje mbi motivet që kanë çuar në deklarimin e Presidentit Meta për lënie të mandatit.
“Duhet të ketë ndonjë motiv tjetër që e detyron Presidentin të kërcënojë duke u dorëhequr nga detyra. Nuk e uroj që të ndodhë”, shton Hazizaj.
Edhe një herë, përgjegjësinë, por edhe zgjidhjen, Hazizaj e gjen te politika dhe drejtësia.