Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë(23.01) i ka kërkuar Qeverisë që t’ia ndalojë hyrjen në vend një deputeti bullgar dhe disa personave të tjerë shtetas të Bullgarisë.
Sipas presidentit Pendarovski, ka dyshime se disa nga këta persona janë të lidhur me shërbimin inteligjent rus.
“Nuk mund të hyj në detaje sepse bëhet fjalë për çështje të ndjeshme, do t’ju them vetëm se disa prej këtyre strukturave dhe personave janë të lidhur me shërbimin inteligjent rus”, tha presidenti Pendarovski.
Deklarata u bë pas njoftimeve se më 4 shkurt në Shkup do të udhëtoj një grup i bullgarëve, përfshirë edhe politikanë për të marrë pjesë në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit, një personaliteti nga periudha e vitit 1900, identitetin e të cilit e pretendojnë si Sofja ashtu edhe Shkupi.
“Të njëjtat struktura [shërbimi inteligjent rus] janë mobilizuar si logjistikisht ashtu edhe financiarisht për të mbështetur ardhjen e organizuar të disa personave në Shkup, më 4 shkurt, kur përkujtojmë ditëlindjen e Goce Dellçevit. Sipas të gjitha vlerësimeve, do të jetë një ngjarje me rrezik të lartë sigurie dhe organet kompetente nuk mund dhe nuk do të jenë vetëm vëzhgues të heshtur të asaj që do të ndodhë”, tha Pendarovski.
Ai tha se do t’i propozojë Qeverisë ndalimin e hyrjes në vend të një deputeti të Parlamentit Evropian nga Bullgaria dhe disa personave të tjerë shtetas të Bullgarisë për shkak të veprimeve që kanë ndërmarrë më parë dhe po i ndërmarrin tani kundër Maqedonisë së Veriut.
“Fushatave të këtilla që i zbatojnë parti politike dhe individë mund t’u përgjigjemi në dy mënyra: me retorikë të kulturuar diplomatike ashtu si deri më tash dhe me deklarata provokuese që shpesh herë nuk mbeten vetëm fjalë, por nxit edhe dhunë – me siguri se nuk do të ndalojë. Por, këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej. Dhe, e dyta me masa që i ndërmerr çdo shtet serioz. Propozimi im që shkon deri te Qeveria dhe të cilin e shpreha edhe në mbledhjen e KS-së është – në përputhje me dispozitat e ligjit për të huaj – t’i ndalohet hyrja në vendin tonë një deputeti në Kuvendin e Bullgarisë dhe disa individëve, shtetas të Bullgarisë për shkak të aktiviteteve që i kanë ndërmarrë më parë dhe i ndërmarrin edhe më tej në shtetin tonë”, deklaroi presidenti i vendit.
“Unë dua t’u dërgoj një mesazh institucioneve kompetente në Bullgari, të cilat nuk janë pjesë e këtyre skenarëve: izoloni politikisht njerëzit që nuk duan marrëdhënie të mira fqinjësore, ne e bëjmë dhe do ta bëjmë këtu. Maqedonia nuk është armiku juaj, por ky vend ka ligje, ka dinjitet dhe kur të kalohen ata kufij, ne gjithmonë do të reagojmë për t’u mbrojtur”, perfundoi ai.
Kjo kërkesë vjen pas tensioneve të krijuara mes dy vendeve, me rrahjen e një sekretari të klubit bullgar në Ohër. Pendarovski ka shfaqur dyshime se incidentet si ai në Ohër janë duke u organizuar nga struktura bullgare.
Me heret ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi në Sofje se “të gjithë ata që provokojnë marrëdhëniet ndërshtetërore apo mohojnë identitetin maqedonas nuk do të lejohen të hyjnë në Maqedoninë e Veriut”.
Ai e tha këtë Kështu pasi vizitës që i bëri në spital një përfaqësues të qendrës bullgare “Car Boris Treti” nga Ohri.
Hristijan Pendikov ishte sulmuar fizikisht të enjten, më 19 janar. Sulmi ndodhi para zyrave të këtij klubi në Ohër, ndërkohë që hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale apo për shkak të shtetësisë së tij bullgare.
Reagon Eurodeputeti bullgar, Xhambaski: Edhe nëse ma ndalojnë hyrjen, Maqedonia ka qenë dhe është bullgare
Euro deputeti bullgar, Angell Xhambaski iu përgjigj presidentit, Stevo Pendarovski, për propozimin për ndalimin e hyrjes së tij në Maqedoni por edhe për personave të tjerë që veprojnë në dëm të Maqedonisë. Xhambaski në rrjetet sociale ka shkruar se ndalesa nuk do ta fshijë të vërtetën për Maqedoninë.
“Kthejeni menjëherë veton për Maqedoninë e Veriut! Përpjekja për të shpallur figurat publike bullgare si persona të padëshiruar në Maqedoninë e Veriut nuk do ta fshijë të vërtetën historike. Çdo përpjekje provokuese e Stevo Pendarovskit, Dimitar Kovaçevskit dhe Bujar Osmanit duhet të dënohet ashpër. Vetëm qeveria antibullgare në Shkup mund të shpallet “persona non grata” në Bashkimin Evropian”, tha Angell Xhambaski, eurodeputet bullgar.
Përveç tij, kryetari i partisë proruse Prerodba Kostadin Kostadinov thotë se nuk do të habitet nëse ai është në listën e të padëshiruarve. Për deklaratat e tij negative dhe irredentiste, MPJ ka dërguar tashmë dy nota diplomatike në Sofje.
Pendarovski, duke e sqaruar propozimin, tha se në seancën e Këshillit të Sigurimit, vlerësimi i shërbimeve ishte se kulmi i tensioneve mund të ndodhë më 4 shkurt, gjatë festimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit në Shkup.
Për këtë ngjarje prezencë masive ka paralajmëruar edhe fondacioni bullgar “Maqedonia”, personi i parë i të cilit Viktor Stojanov, i njohur ndër të tjera prej vitesh dhe pas përhapjes së lajmit të rremë se janë përdhosur varrezat bullgare në Maqedoni, tashmë i është ndaluar hyrja në vend. Edhe pse nuk e përmendi me emër, Pendarovski e tregoi atë si një nga tre shtetasit bullgarë të cilëve iu anulua qëndrimi në Maqedoni vitin e kaluar.
Ministria e Brendshme thotë se do të ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për mirëmbajtjen e sigurt dhe të qetë të aktiviteteve rreth festimit të 4 shkurtit.
Ndryshe, sipas Ligjit për të Huajt, Qeveria mund të ndalojë hyrjen e të huajve në vend nga 6 muaj deri në 5 vjet, dhe nëse është e nevojshme ta zgjasë periudhën, nëse vlerësohet se janë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Tensionet mes Shkupi dhe Sofjes janë ngritur në tre muajt e fundit pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, që u kundërshtuan nga pala maqedonase pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupi duke mundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Vetoja ishte vendosur në nëntor të vitit 2020 për shkak të kontesteve mes dy vendeve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.
/Argumentum.al