Cikli poetik që po botojmë më poshtë ka një autore tejet të veçantë – Blerta DERHEMI, e cila ka lindur në Fier në një familje arsimtarësh me tradita. Ajo është diplomuar në UT dhe ka master për shkencat politike dhe ekonomike; nga viti 2006 është diplomate karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gjatë viteve 2014-2019 shërbeu në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel. Eshtë e trajnuar në institute prestigjioze diplomatike në Vjenë, Hagë dhe Stamboll.
Gjatë kësaj periudhe, Blerta ka përballuar një fluks të madh sfidash dhe përgjegjësish pune, brenda dhe jashtë vendit; krahas detyrimeve të shumta familjare si bijë, bashkëshorte dhe nënë shembullore e dy fëmijve.
E megjithatë, poetja diplomate nuk e ka lënë mbasdore pasionin e saj të fëmijërisë – letërsinë, sidomos poezinë. Përkundrazi, ajo i ka ato bashkëudhëtare besnike në gjithë rrugtimin e saj.
Duke e falenderuar Zonjën Blerta që i ndan dhe me ARGUMENTUM këto krijime të bukura dhe frymëzuese, po e fillojmë me filozofinë e saj poetike, të cilën autorja e sintetizon në fragmentin e mëposhtëm shkëputur nga eseja “Pse shkruaj“:
« Të shkruarit është aftësia për të zhbërë dhe ribërë hapësirën, kohën dhe vendin ku ndodhesh, duke e transformuar të zakontën në të pazakontë. Për më tepër të shkruarit është liri, është arratisje, është fluturim, është udhëtim, madje nga ato udhëtime ku nuk të shpie asnjë biletë apo avion, sado pasuri materiale të kesh. Ndaj shkrimin e shoh si ikje dhe ardhje. Ikje nga vetja dhe realiteti, ikje nga e shkuara dhe e tashmja për kah e ardhmja. Ardhje, ardhje drejt dhe përballë vetes Shkrimi por sidomos poezia fillimisht vjen në trajtën e një imazhi të cilin më duhet ta ‘pikturojë’ jo me penela por me fjalë. Nuk mbaron me kaq, sepse ky imazh në sajë të ngjyrave që mbart ka aftësinë të luajnë një melodi të caktuar (edhe pse nuk kam fare vesh muzike), melodi e cila pret të shkruhet jo me nota muzikore por me fjalë. Ndaj fjalën e shoh si një instrument kaq të fuqishëm. »
Poezitë e mëposhtëme janë shkëputur nga vëllimi i saj i parë poetik që pritet të promovohet së shpejti.
Më prit dheu im
Më prit tokë e zhuritur,
vij si rrjedhë lumi
me borën e shkrirë mallit,
Më prit tokë e vlagur,
me erërat vij,
mbjell farëzat e kujtimeve,
Blerohemi së bashku dheu im!
Me prit tokë e dashur,
si bërthamë fryti t’arrirë,
hedh rrënjë me frymën e parë të pranverës,
Përqafohemi pazgjidhshmërisht dheu im.
Më prit!
10.12.2018
***
Stacion
Sot,
rutinë,
stacioni i përdishtëm…
Rëndon në sup çanta prej zonjëze,
brenda ngjeshur ëndrrat,
planet,
pasionet,
dashuritë…
mjaftueshëm për vite pa limit!
Tramvaji ëndrrave të marra mbërrin…
Drejtim i çuditshëm “Askund-Gjithkund-Kurrkund”
Djall! Dilemat nuk m’u ndanë për dreq,
Ç’të marr me vete në arkë-mort?
Ata që më deshën e si desha dot?
Apo… ata që desha aq shumë por se kuptuan kurrë?
Të marr sukseset e vogla ?
Sa shkëndija shprese ndezën!
Ç’më ngatërrohen nëpër këmbë,
dështimet që më bënë edhe më të fortë…
Të marr puthjet e padhëna,
Apo, lotët mbrujtur e tretur pa dëshmimtarë?
Sa mirë paskësh qenë në kohë të lashta…
Lëkundur ndër ujëra me të ngratin Karont,
Pak kohë më shumë …të ndaj ç’të marr me vete atëbotë !
Tramvaji i ëndërrave të marra vjen e shkon kaq shpejt,
Timonierja vdekje përqesh me kokën pas…
Zbraz çantën njeri, ec, ec, ec mbush shpirtin,
ler gjurmë të bardhë,
iki e vij prapë,
stacionit tim askush nuk i shpëton dot…
5.2.2018
***
Pakohësia
E pakohë,
në kohë të çartura, qiellgrishëse!
E pakordinatë,
në hapsirën mbytur meteorësh.
E tashmja e së shkuarës,
tretet në darët e harresës,
E tashmja e së tashmes,
dyllosur me parafinë galaktikash,
E tashmja e së ardhmes,
hesht si murg me veladon të artë!
Hapsira tkurr boshtet,
si tentakula oktapodi zënë në çark,
E tashmja e së tashmes,
e tashmja e të këtushmes
nocione pakuptim!
Pakohësia më është shpëtim!
Pika zero, qendra e gravitacionit tim.
3 prill 2019
***
Revoltë
Thëngjijtë yjorë shkrepin revoltën,
S’më shkon për shtat kjo jetë e trishtë,
as vdekja e ngadaltë me ditë bosh e plotë mërzi.
S’jam vajzë e brishtë!
As burrë nuk jam për fat, a për dreq!
Jam grua,
dehem gjersa humb në dashuri,
në thundrën e lirisë së munguar.
Dashuroj gjer në dehje,
me zërat helmues të ditëve gri.
Unë,
lindur thjesht njeri,
Revoltohem!
13.06.2020
***
Mos harro postën
Të shkruaj nga gjumi,
Në gjuhë zemre të shkruaj,
Me bojë ëndrrash e penë shpirti,
Nuk pres përgjigje,
Për letra ajri, flake e drite.
Mos harro lexo postën e mëngjeseve!
1.1.2019
***
Mall
Nga pesha e kujtimit tënd,
Rënkon përnatë nënkresë e bardhë.
Me shkarpa shprese, malli bashkë,
e djeg çdo gjurmë që ti le pas…
Kundroj në heshtje se si shkrumbohesh,
tretesh në çast si me magji….
Por s’gjej kuti ta nxerë krejt,
këtë hirin e kujtimit tënd,
Ndaj të mbjell ëndrra nëpër netë,
Netët thinjen bëhen ditë…
Me zgjimin tim si një Feniks rilindesh prapë,
Ti mall që djeg, po kurrë s’lëndon.
28.02.2018
***
Gjuha e heshtjes
Gjuhën e heshtjes tënde,
nuk ka përkthyes ta sjellë në gjuhën e zemrës time,
i qep e shqep grimcat e tua,
me ikën shthuresh në një vegim!
Me lodhe mosqenie,
egzistencë që frymon me bulëzat e shpirtit tim,
shtrin tentakulat nga mijëra kilometrat e askundit,
vjen më shpluros të thënat e të pathënat e ditëve,
mosqenia prej gjaku e mishi dhemb,
çartur kërkoj të fjalosem me të pafjalin,
Ahh kjo gjuhë e heshtjes tënde,
nuk gjej dot kund përkthyes ta sjellë gjallë,
në gjuhën e zemrës time.
19.12.2018