Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka quajtur sulm terrorist, me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, derisa tha se ky është sulmi i katërt me radhë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sot është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, raporton RTK.
Përmes një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Sveçla tha se policia është sulmuar me granat dore.
“Sot rreth 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granat dore dhe AK 47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të policisë dhe qytetarëve. Grupet e ndryshme në 3 ditët e fundit kanë bërë katër sulme ndaj Policisë së Kosovës”, tha ai.
Ndërsa vetë Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka dhënë detaje për sulmin ndaj zyrtarëve policor në veri të Kosovës.
“Prej datës 13 i kishim katër sulme ndaj Policisë së Kosovës në mënyrë të sinkronizuar. Kjo na bënë me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka qëllim të pengojë Policinë e Kosovës. Në sulmin e parë janë vendosur mbi 40 iriq në formë metalike për të penguar patrollat policore. Në sulmin e dytë policët janë sulmuar me gurë, sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë ku 30 fishekë ndaj policisë, ndërsa sot janë sulmuar policët me granatë dhe Ak 47”, tha ai në një konferencë për medie.
/Argumentum.al