Policia e Tiranës i ka refuzuar kërkesën Partisë Demokratike për të zhvilluar protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 6 Dhjetor, të njëjtën ditë kur do të mbahet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Sipas Policisë, protesta në atë vend atë ditë pengon zhvillimin normal të Samiti dhe përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare dhe atë publike.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka reaguar sot në lidhje me refuzimin nga Policia e Shteti për të zhvilluar protestë e lajmëruar me 6 dhjetor, ditën e Samitit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një komunikim në rrjetet sociale, Berisha tha se Policia e Shtetit njoftoi mbrëmë se nuk njeh Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
“Lidhur me këtë njoftim, i rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Por krahas kësaj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë. Së treti, policia e shtetit e Edi Rramës, po e trajton samitin e liderëve të BE, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë. Komisioni Europian, për të qartësuar pozicionin evropian, kërkoi që e drejta për protestë të respektohet. Prandaj ai refuzim është i paqenë. Ai tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që do të mbushë sheshin më datën 6 në orën 12”, shprehet ai.