Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti në një takim, për ta falënderuar, punonjësin e Policisë Shkëlzen Tafa, i cili më datë 18.04.2021, i ndodhur rastësisht dhe jashtë shërbimit në një zonë ku po ndodhte një konflikt që po përshkallëzohej deri në vrasje, ka ndërhyrë me profesionalizëm duke parandaluar një vrasje të dyfishtë.
Drejtor Veliu gjatë bisedës miqësore me punonjësin e Policisë e ka falënderuar dhe përgëzuar atë për kurajën dhe guximin, për aktin human dhe të përgjegjshëm që ai kreu edhe pse nuk ishte në shërbim.
Veliu: “Ajo që ju bëtë është mishërimi i asaj çka duhet të bëjmë të gjithë ne punonjësit e Policisë së Shtetit. Veprimet e tua ishin kurajoze dhe profesionale, që nga vendimi që more për të ndërhyrë, nxjerrja dhe mbajta e armës, dhënia e komandave për personin që duhej t’i bindej urdhrit të punonjësit të Policisë e deri në neutralizimin e tij. Për këtë, unë si Drejtor i Përgjithshëm, por e gjithë organizata e Policisë jemi krenarë për veprimin tuaj. Qytetarët panë tek veprimet e tua Policinë që duan dhe kjo ka akoma më shumë vlerë për ne, rritja e besimit dhe e mbështetjes së qytetarëve për Policisë, pasi pa qytetarët ne nuk mund ta kryejmë dhe përmbushim si duhet detyrën. Veprime të tilla në shërbim e në mbrojtje të jetës së qytetarëve duhet të jenë motiv për të gjithë punonjësit e Policisë”.
Punonjësi i Policisë Shkëlzen Tafa, pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja” aktualisht në praktikë, pasi vijon studimet në vitin e tretë Bachelor në Fakultetin për Hetimin e Krimit në Akademinë e Sigurisë, ka falënderuar Drejtor Veliun për pritjen dhe vlerësimin dhe e ka siguruar atë se veprimin që ai ka kryer nuk e ka bërë për famë apo për bujë, por sepse ishte përgjegjësi morale dhe ligjore për uniformën që mban dhe detyrimin ndaj qytetarëve.
© Argumentum