Nënshkruhet marrëveshja për fazën e tretë të programit “Forcimi i Policimit në Komunitetit”, i cili mbështetet nga qeveria e Suedisë, përmes programit SCAP.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha falënderoi qeverinë suedeze që mbështet prej vitesh Policinë Shqiptare dhe theksoi se në dy fazat e para, fokusi ka qenë ndërtimi i besimit dhe partneritetit të ndërsjellë ndërmjet policisë dhe komuniteteve, por tashmë kemi hyrë në fazën e forcimit dhe konsolidimit të këtij partneriteti, sidomos përmes Këshillave Vendore të Sigurisë Publike.
“Koncepti i Policimit në Komunitet është pjesë integrale e punës së çdo njësie të Policisë së Shtetit, një realitet i prekshëm dhe i njohur nga të gjithë. Por çka është më e rëndësishme, ky koncept policimi është përqafuar edhe nga vetë komuniteti, qytetarët, shoqëria civile”, tha Hoxha.
Duke marrë referencë zbatimin e Paketës së Sigurisë në Shkolla, ministri theksoi se pas dy vitesh nga inicimi i saj, kemi sot mundësi të vlerësojmë punën e institucioneve të përfshira e të pushtetit lokal.
“Ajo që na duhet në vijim është konsolidimi i rezultateve, thellimi i bashkëpunimit nxënës, prindër, mësues, staf akademik dhe agjenci ligjzbatuese, ku programi do të luajë një rol mbështetës padyshim. Oficerët e Sigurisë janë aty, e duhet të jenë të vëmendshëm për çdo informacion apo incident, duke parandaluar në kohë ngjarje të pakëndshme”, nënvizoi ai.
Ministri përmendi rezultatet e sondazhit të realizuar nga IDRA me mbështetjen e programit suedez SCPA, në lidhje me vlerësimin e publikut mbi punën e Policisë së Shtetit.
“Sondazhi më i fundit – tha Hoxha – në lidhje me vlerësimin e publikut për punën e Policisë së Shtetit, i realizuar nga programi SCPA, tregon se 65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “Të mirë” ose “Shumë të mirë”. Sipas të njëjtit sondash, 86% e qytetarëve janë të njohur me Policimin në Komunitet dhe e vlerësojnë atë pozitivisht. Ndërsa 82% e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit”.
Ai e konsideroi inkurajues këtë vlerësim të publikut dhe vuri në dukje se gjatë dekadës së fundit, Policia e Shtetit, ka bërë hapa të mëdhenj drejt rritjes së standardeve të shërbimit.
Duke folur në lidhje me rëndësinë e trajnimeve në njësitë policore si dhe asistenca e partnerëve, ministri Hoxha u ndal posaçërisht edhe në çështjen e garantimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Ai vuri në dukje se janë trajnuar të gjitha strukturat për të qenë të afta në garantimin e një procesi zgjedhor pa asnjë incident.
“Garantoj gjithë qytetarët dhe aktorët e tjerë, – tha ministri Hoxha – se Policia e Shtetit mbi bazën e një plan veprimi ka përmbyllur trajnimet në nivel drejtues dhe është e gatshme të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor për të garantuar zgjedhje të lira e me standarde në 11 Maj”.
Nga pala suedeze marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën e Suedisë, Erik Illes. Konferencë e nivelit të lartë u moderua nga drejtuesi i Programit suedez SCPA në Shqipëri Ansi Shundi, i cili prezantoi disa nga rezultatet e arritura në vite.