Ndihma didaktike për fëmijët e verbër dhe ata me dëmtime shikimi, paisje për gastronomi dhe rehabilitim për shtëpitë e kujdesit të drejtuara nga Motrat e Nënë Terezës në Shqipëri, si dhe rinovimi i palestrës në shkollën sportive në Tiranë; janë efekte të realizimit të projekteve të financuara nga fondet e „Polish Aid” (Ndihma Polake) të Ambasadës së Republikës së Polonisë në Tiranë, gjatë vitit 2023.
Instituti i nxënësve që nuk shikojnë „Ramazan Kabashi” përbën një rast të veçantë në Tiranë. Kjo është e vetmja shkollë në Shqipëri, ku marrin mësim fëmijët e verbër dhe me dëmtime shikimi, në moshën 7-15 vjeç. Instituti menaxhohet nga drejtori dhe aktivisti për të drejtat e personave të verbër, Emiliano Lule, i cili është njëkohësisht edhe drejtues i Institutit për të Verbërit VISIUM. Përveç veprimtarisë edukative dhe pedagogjike, ky institut prodhon edhe materiale shkollore në gjuhën shqipe, të përshtatura për personat që kanë humbur shikimin, për të verbërit dhe ata me shikim të dobët. Si rezultat i bashkëpunimit me Ambasadën e Republikës së Polonisë në Tiranë, shkolla përfitoi paisje mbështetëse për përgatitjen e materialeve didaktike, të përshtatura për personat me çrregullime të shikimit; ndër të tjera, një ekran profesional për nxënësit me probleme në perceptimin e ngjyrave dhe ata me vështirësi në shikim; si dhe mikrofona për studion e incizimeve, në të cilën krijohen audiopërshkrimet e materialeve shkollore dhe librat audio në gjuhën shqipe.
Në Shqipëri, Missionaries of Charity, të njohura gjerësisht si Motrat e Nënë Terezës së Kalkutës, iu ofrojnë ndihmë personave të varfër dhe të përjashtuar, të cilët nuk janë përfshirë në sistemin e kujdesit institucional. Shtëpitë e kujdesit të drejtuara nga Motrat janë një azil për të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe paaftësi fizike apo mendore. Shtatë shtëpi të kujdesit të përhershëm, me vendodhje në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Rrëshen dhe Pukë, sigurojnë strehim, ushqim dhe ndihmë rehabilituese. Me financimin nga programi i „Polish Aid” (Nidihma Polake), shtëpitë e kujdesit në Tiranë, Shkodër dhe Pukë, përfituan paisje të reja për gastronomi, përfshirë soba me gaz, frigorferë dhe mobilje të përshtatura për ushqimin e personave të shtrirë në shtrat. Në kuadrin e projektit, u blenë gjithashtu paisje të reja rehabilituese, të cilat lehtësojnë ndjeshëm mundësinë e lëvizjes të personave që kanë më shumë nevojë.
Në vitin 2023, Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Sportit. Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë vendosi të jepte një kontribut modest në serinë e aktiviteteve sportive, të organizuara nga Bashkia e Tiranës, dhe realizoi projektin e rinovimit të palestrës , në gjimnazin „Ismail Qemali” në Tiranë. Bashkëpunimi i Ambasadës me Bashkinë e Tiranës mundësoi realizimin e punimeve rinovuese, përfshirë ndërrimin e parketit të palestrës , shtrimin e një laminati të veçantë, si dhe montimin e shkallëve suedeze, gjë që do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe komfortit gjatë ushtrimit të sporteve nga nxënësit e shkollës.
/Argumentum.al