Lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani në moshën 44-vjeçare për shkak të një arresti kardiak ka sjellë reagime të shumta nga politika.
Pas këtij lajmi tragjik, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbylli punimet e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Kryetarja e Kuvendit, shprehu ngushëllimet. “Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti”, u shpreh Spiropali në reagim.
Nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi ndau një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”, shkruan nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi.
Kryeministri Edi Rama shprehu sot keqardhjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Genti Bogdani.
Rama i shprehu ngushëllimet bashkëshortes dhe familjes Bogdani për humbjen e njeriut të dashur.
“Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale.
Ndërsa kryetar i partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e mori lajmin gjatë një konference për shtyp, mbajti një minutë heshtje në nder të Gert Bogdanit.
“Lajm i zi më erdhi tani në tavolinë, lajm shokues. Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time një nga personalitetet e reja të PD-së më të shquara. Humbje e madhe për PD-në dhe shoqërinë shqiptare”, tha Berisha, i cili ndërpreu konferencën për shtyp.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një reagim u shpreh thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani.
“Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Edlira, dy vajzave të tij, të afërmve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për këtë humbje të pazëvendësueshme. I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe”, theksoi Meta.
Ndërsa kreu i demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit Gerti Bogdani.
“Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe. Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Basha.
“Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe!”, theksoi Basha.
Edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndau në rrjetet sociale mesazhin e tij të ngushëllimit.
“Largimi i parakohshëm i Gert Bogdanit është një dhimbje e madhe për të gjithë. Një koleg me integritet dhe njeri me energji të mëdha, që dha kontributin e tij për vendin. Ngushëllimet më të sinqerta familjes!”, shkruan Manja.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shprehu gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.
“Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve”, u shpreh Presidenti Begaj.
Begaj theksoi se, “Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka ndërruar sot jetë në moshën 44-vjeçare për shkak të një arresti kardiak.
I lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë, Bodgani pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Aëard – ‘Medalje Ari’.
Në vitin 2009, në moshën 29-vjeçare, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.
/Argumentum.al