Udhëheqësit e politikës shqiptare dhe ambasadorët e huaj në Tiranë uruan ditën e sotme besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin duke pasur si mesazh kryesor “paqen, solidaritetin dhe “tolerancën”.
Kryeministri Edi Rama ka uruar gjithë besimtarët shqiptarë myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Kryeministri Rama ka shpërndarë një këngë të kënduar nga këngëtarja Rosela Gjylbegu për të uruar besimtarët myslimanë.
“Gëzuar Bajramin shqiptarë kudo ndodheni!”, shprehet Rama në mesazhin e tij të urimit.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha uroi për Bajramin pasi vizitoi qendrën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
“Gjithë besimtarëve myslimanë, nga zemra i uroj gëzuar Fitër Bajramin, agjërim të pranuar, lutje të pranuara, shpresë të ripërtëritur, Zoti ju bekoftë ju, ju begatoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë,” – uroi Basha.
Nga zyra për shtyp e Presidentit Ilir Meta u njoftua se ai do ta vizitojë gjithashtu Komunitetin Mysliman për ta përcjellë personalisht urimin. Ngjashëm njoftoi edhe zyra për shtyp e Lëvizjes Socialiste për Integrim për kryetaren e saj Monika Kryemadhi.
Meta pati uruar që mbrëmjen e së martës përmes një postimi në Facebook për “agjerim të pranuar, për më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe”.
Bajramin e uruan gjithashtu edhe ambasadorët Lugi Soreca dhe Yuri Kim.
Ambasadorja e SHBA-së, Kim, uroi “gëzuar Fiter Bajramin” përmes Twitter-it.
Po përmes Twitter-it, adresoi urimin e tij edhe ambasadori i BE-së, Soreca. Ky uroi që “sakrificat dhe përkushtimi gjatë Ramazanit të sjellin shëndet dhe lumturi për familjet e shqiptarëve”.