Zyrtarë të lartë dhe politikanë shqiptarë shprehën sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Kryeministri Edi Rama ka shprehur trishtim për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli. Me anë të një postimi në Facebook, kreu i qeverisë thotë se ai ishte një evropian i paepur dhe një avokat i zjarritë i Shqipërisë.
“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte…
Addio caro David, riposa in pace”, shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta vlerësoi se Sassoli ka qenë mbështetës i palodhur i integrimit të Shqipërisë.
“I hidhëruar nga humbja e papritur e një evropianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli. Ngushëllime për familjen e tij dhe institucionet evropiane”, tha Meta.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në mesazhin e saj të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të presidentit të PE-së thekson se, Sassoli ishte zëri i Shqipërisë brenda BE.
“Jam thellësisht e dëshpëruar për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli. Evropa humbi një politikan e shtetar të shquar, Parlamenti Evropian liderin e tij vizionar, Shqipëria humbi një mik të madh, të rrallë e të çmuar, që ishte, siç u shpreh Ai vetë në takimin që patëm para një muaji, “zëri i Shqipërisë brenda BE-së”. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, i dashur David!”, shprehet Nikolla.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mesazhin e tij për ndarjen nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli e cilëson atë mik të mirë të shqiptarëve.
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të David Sassoli, Presidentit të Parlamentit Evropian, miku i mirë i shqiptarëve dhe mbështetës i sinqertë i aspiratës tonë kombëtare për integrimin evropian. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje pikëlluese. U prehtë në paqe!”, shprehet Basha.
Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehu ngushëllimet për ndarjen e papritur nga jeta
“E pikëlluar thellësisht nga humbja e papritur e Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, një kampion i vlerave evropiane, një president i shquar dhe një mik i dashur për Shqipëri. Ne vajtojmë këtë evropian të shquar dhe krenar”, tha ajo.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shprehu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli.
“Iku shumë shpejt! Me trishtim të thellë dëgjova për largimin e hershëm të David Sassoli. Presidenti karizmatik i Parlamentit Europian, një evropian i pasionuar, një italian tipik, një adhurues i vërtetë i Shqipërisë, dhe një mik i dashur! Trashëgimia e tij bujare do të mbetet! Addio amico mio”, tha Veliaj.
Kujtojmë që gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari Veliaj i dorëzoi Sassolit “Çelësin e Tiranës”, si një mik i hershëm i shqiptarëve dhe mbështetës i aspiratave evropiane të vendit tonë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu sot trishtimin për largimin e parakohshëm nga jeta të Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.
“Evropa e Bashkuar ka humbur sot një luftëtar të madh të kauzave të saj përbashkuese dhe të solidaritetit. Përpara zgjedhjes si President, David Sassoli drejtoi gjatë legjislaturës së kaluar edhe Grupin e Miqve të Shqipërisë. Kemi bashkëpunuar ndër vite me këtë mik të madh në dobi të mbështetjes së rrugës evropiane të Shqipërisë. Ngushëllimet më të ndjera për familjen Sassoli. U prehsh në paqe President Sassoli”, tha ai.