Zyrtarja e lartë e VMRO DPMNE-së, Ivanka Vasilevska në intervistë për një portal serb, ka thënë se nëse Maqedonia detyrohet të shkojë krah federalizmit, duhet të mendohet për ndonjë aleancë me Serbinë.
“Në një situatë kur nuk kemi mundësi juridiko-politike për të ekzistuar, kur nuk mund ta ruajmë shtetin nacional, duhet të jemi të hapur ndaj të gjitha opsioneve”, ka thënë ajo.
Ajo madje ka thënë se e admiron metodën e politikëbërjes së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Unë e admiroj Vuçiçin dhe politikën e tij neutrale. Është shembull i vërtetë se si duhet një shtet të menaxhojë marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Vasilevska.
Ajo është ankuar se Rusia nuk ia ka dhënë mbështetjen e duhur Maqedonisë.
Ivanka Vasilevska është anëtare e Komitetit Ekzekutiv të partisë opozitare.
Në kohën e regjimit të Gruevskit, ajo nga pozita e analistit politik, ishte përkrahëse e flaktë e politikave të tij.
Menjëherë pasi u ndërrua pushteti, ajo iu bashkëngjit partisë.