Nga Gideon Rahman
A mund të jetë 2019-a, viti kur populizmi do të marrë tatapjetën? Në vitin 2016, votat për Brexit dhe Donald Trump, i habitën institucionet politike në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e BAshkuara.
Por viti 2019, është një shans i mirë për të qenë koha kur projekti populist të shembet nën inkoherencën e vet, pasi bëhet gjithnjë e më e qartë se idetë e këqija, kanë pasoja të këqija.
Pretendimet optimiste, të bëra për Brexit në vitin 2016, tashmë kanë rënë. Marrëveshja e kryeministres britaike Tereza Mej me BE-në, është denoncuar si tradhëti nga shumica e udhëheqësve të dikurshëm të fushatës “Leave”.
Por një Brexit pa marrëveshje, që e mbështet tanimë shumica e përkrahësve të daljes nga unioni, kërcënon të shkaktojë vështirësi dhe poshtërim në prag të tij; ndërkohë që një vendim për të mbajtur një referendum të dytë, do të ishte një tërheqje edhe më e zbehtë nga piku i populizmit 3 vite më parë.
Perspektivat për degën amerikane të projektit populist, nuk duken më tërheqëse. Popullariteti i zotit Trump është sërish në rënie dhe tregu i bursës – etaloni i zgjedhur prej tij i suksesit – ka rënë. Robert Myler do të raportojë së shpejti, dhe gjetjet e tij mund të shkaktojë nisjen e procedurave të shkarkimit të presidentit.
Ndoshta më e rrezikshme për presidentin, republikanët kryesorë janë duke u shqetësuar pas pengesave në zgjedhjet afatmesme, dhe dorëheqjes së Xhim Matis si sekretar i Mbrojtjes.
Por, ndërsa është joshëse të argumentohet se populizmi do të nisë të gremiset, kjo është gjithashtu e parakohshme.
Dhe për këtë ekzistojnë 3 arsye kryesore. E para është se, megjithëse politikat populiste janë në vështirësi, forcat ekonomike dhe kulturore themelore që e ngritën lëvizjen, janë ende aktive. Së dyti, populizmi vjen në forma të djathta dhe të majta. Ndërsa versioni i djathtë po has në vështirësi në SHBA dhe Britaninë e Madhe, varianti i majtë mund të forcohet shumë këtë vit.
Arsyeja e tretë është se populizmi, është tashmë një dukuri globale. Politikanët populistë, janë në pushtet nga Brazilia në Budapest, dhe nga Roma në Manila. Zgjedhjet italiane dhe braziliane të vitit 2018, ishin veçanërisht të rëndësishme. Qeveritë e vendit më të madh në Amerikën Latine dhe të një kombi të madh evropiano-perëndimor, drejtohen nga partitë populiste.
Presidenti i Brazilit, Xhair Bolsonaro, ka adoptuar disa nga temat retorike të Trumpizmit, duke përfshirë denoncimet ndaj Kinës, “globalizmin” dhe elitat kulturore. Por zoti Bolsonaro, ndryshe nga modeli i tij i Amerikës së Veriut, mund të ketë një periudhë të ‘muajit të mjaltit’ në vitin 2019, me rritjen e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, pjesërisht për shkak të premtimit të tij për reforma ekonomike liberale.
Mateo Salvini, “fytyra” e populizmit italian, mund të ketë gjithashtu një vit të mirë. Italia, duket se ka shmangur një përplasje me Komisionin Europian mbi defiçitin buxhetor të vendit, dhe shumë italianë duket se e shijojnë një qeveri, që ka një qëndrim më agresiv ndaj Brukselit.
Nëse partia Lidhja e zotit Salvini, del mirë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në muajin maj, ai mund të shkaktojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në shtëpi, duke lejuar që Lidhja të dalë si forca politike dominuese në Itali. Dobësia e financave publike të vendit, nënkupton që populizmi italian është i prekshëm ndaj një reagimi të udhëhequr nga tregu. Por, për momentin, zoti Salvini
është ende në rritje.
Shumë udhëheqës populistë, kanë falënderuar vazhdimisht zotin Trump. Pra, fajësimi (impeachment) i presidentit amerikan, do të kishte me siguri një ndikim në moralin e populistëve në mbarë botën, sikurse edhe mossuksesi i Brexit. Por edhe në qoftë se pararoja anglosaksone e populizmit zhytet në telashe, forcat globale që e nxisin këtë lëvizje, duket të jenë ende të forta.
Frika nga migracioni, pasiguria ekonomike dhe konservatorizmi kulturor, janë ende një koktej i fuqishëm. Apeli ndaj një të kaluare të thjeshtë, do të vazhdojë. Damares Alvesh, ministri për gratë në qeverinë e Bolsonaros, u zotua javën e kaluar se në Brazilin e ri “burrat do të vishen në blu, dhe vajzat në rozë”.
Çështjet kulturore, e ushqejnë populizmin e së djathtës. Ndërkohë, varianti i majtë i populizmit, do të vazhdojë ta vërë theksin tek të drejtat e pakicave dhe ekonomia. Viti i ardhshëm, mund të jetë i frytshëm për populistët e majtë. Gara për kandidatin e ardhshëm demokrat për presidencën amerikane, ka filluar.
Shumica e energjisë në parti, duket të jetë duke u harxhuar në krahun e saj “progresiv”, të përfaqësuar nga Elizabet Uoren, Berni Sanders dhe Aleksandria Okasio-Kortez. Këta janë politikanët që sulmojnë të pasurit dhe të privilegjuarit, në një mënyrë që dikur ishte tabu në politikën tradicionale amerikane.
Në Britani, kaosi pas Brexit mund t’i jepte Xheremi Korbinit shansin për t’u bërë kryeministër. Një fitore e Korbin në Britani, do të frymëzonte populistët e majtë anembanë botës, ashtu si Brexit bindi populistët e djathtë (duke përfshirë edhe fushatën Trump), se historia po lëvizte në drejtimin e tyre.
Populizmi i së majtës, ka një degë të rëndësishme në Amerikën Latine. Zgjedhja e Andres Manuel Lopez Obrador si president i Meksikës në vitin 2018, u prit me entuziazëm nga e majta në të gjithë botën. Zoti Korbin, dikur një fans entuziast i Hugo Çavezit në Venezuelë, është një mik i vjetër i Obrador, dhe ishte një i ftuar nderi në ceremoninë e inaugurimit në detyrë.
Centristët pragmatikë, do të dyshojnë se eksperimentet meksikane dhe braziliane me populizmin, do të kenë fatin e Brexit dhe presidencës Trump. Por qendra ka nevojë për disa ‘melodi’ të reja. Politikanët si presidenti i Francës Emanuel Makron, reagimi i të cilit ndaj populizmit, është të luajë edhe më fort muzikën e vjetër, rrezikojnë të mposhten. Populizmi është në vështirësi, por vrulli populist nuk ka kaluar ende.
FINANCIAL TIMES – BOTA.AL