Me një plan të detajuar me kujdes dhe me prioritet themelor ruajtjen e shëndetit të njerëzve, Autoriteti Portual ka adaptuar që në çastin e parë të gjitha masat e marra nga Qeveria shqiptare, si dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe ato të Komisionit Europian.
Duke u mbështetur në resurset e teknologjisë që posedon, që nga 11 marsi APD vendosi në plan të parë komunikimin elektronik për përdoruesit e portit, ndërsa përmes Linjës së Gjelbër ofron informacion të vlefshëm për të gjithë përdoruesit portualë.
Nën masa të rrepta kujdesi shëndetësor, në Terminalet e portit ka vijuar rregullisht përpunimi i anijeve me mallra, një pjesë e të cilave kanë siguruar rezervat e nevojshme afatgjata ushqimore për vendin, pa harruar kontratat e sipërmarrësve shqiptarë për mallra import-eksporti shumëllojësh, si: grurë, hekur, llamarinë, melaminë, çimento, qymyr, etj.
Vetëm në Terminalin Perëndimor gjatë muajit mars u përpunuan mbi 83 mijë tonë mallra, 3,300 tonë më shumë se vitin e kaluar.
Ngarkim-shkarkimi i anijeve është realizuar në orarin 05.00-13.00, duke respektuar fashat e orareve të lejuara për lëvizjet e punonjësve në kushtet e pandemisë, ndërsa sheshet dhe mjediset pranë elektrovinçave i nënshtrohen rregullisht dezinfektimit.
Pas kontrolleve të rrepta shëndetësore për udhëtarët që filluan nga fundi i muajit shkurt, më 11 mars 2020, Terminali i Trageteve e humbi përkohësisht funksionin e tij parësor, transportin e pasagjerëve.
Për një muaj radhazi në terminalin më të njohur të portit përpunohen vetëm kamionë dhe trajlerë me mallra, por nuk mungojnë edhe shërbimet e veçanta si udhëtimet e 70 qytetarëve italianë, që kthehen me traget në Bari, apo e 34 marinarëve shqiptarë, të cilët rikthehen në vendin tonë.
Gjithçka në bashkëpunim dhe marrëveshje me institucionet shtetërore vendase dhe ato të Italisë. Ndërsa Autoriteti Portual bashkërendon edhe bashkëpunimin me Policinë Kufitare, Doganën dhe Kompanitë e Lundrimit.
Porti i Durrësit në dy muajt e fundit merr një vëmendje të veçantë nga shteti.
Ministrat Balluku, Manastirliu dhe Lleshaj inspektojnë brenda pak javësh mjediset portuale, duke shprehur konsiderata për punën që bëhet nga punonjësit dhe drejtuesit.
Porti më i madh i vendit vazhdon të përballojë një situatë krejtësisht të veçantë dhe të panjohur më parë për të. Ndërkaq, Autoriteti Portual është i vendosur të kujdeset deri në fund për shëndetin e njerëzve që punojnë në mjediset e tij, si dhe për realizimin e detyrës së marrë nga autoritetet shtetërore.