Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi Evropës të investojë në kuadrin e saj të sigurisë kolektive përballë lëvizjeve ushtarake ruse në pragun e bllokut. Ai gjithashtu bëri thirrje për një dialog “të sinqertë” të BE-së me Rusinë në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian të mërkurën në fillim të presidencës gjashtëmujore të rradhës të Francës të Këshillit Evropian.
Macron tha se evropianët duhet të ndërtonin paktin e tyre të sigurisë kolektive dhe të riarmatoseshin pasi Rusia shkaktoi frikën e një pushtimi në Ukrainë me një grumbullim të konsiderueshëm trupash në kufi.
“Evropa duhet të ndërtojë më në fund kornizën e saj të sigurisë kolektive në kontinentin tonë,” u tha ai ligjvënësve në Strasburg në Francën lindore.
“Siguria në kontinentin tonë kërkon riarmatim strategjik,” tha ai, duke shtuar se kërkoheshin gjithashtu bisedime “të sinqerta dhe kërkuese” me Rusinë.
Në zemër të kornizës do të ishin parimet e rënë dakord me Rusinë 30 vjet më parë, tha Macron – duke përfshirë refuzimin e përdorimit të forcës ose detyrimit, duke u dhënë shteteve “zgjedhjen për të aderuar në aleancat ose organet që ata dëshirojnë” dhe “refuzimin e sferave” të ndikimit”.
Macron tha gjithashtu gjatë fjalimit të tij se Franca synon të “reformojë zonën Shengen” gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për të parandaluar migrimin e parregullt. “Ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm” me një “forcë ndërqeveritare të ndërhyrjes së shpejtë” dhe duke “ndërtuar partneritete me vendet e origjinës dhe tranzitit për të luftuar rrjetet e kontrabandës dhe për ta bërë efektive politikën tonë të kthimit”.
Ai tha gjithashtu se “presidenca franceze do të jetë ajo që promovon vlerat që janë tonat dhe që shpesh mund të shikohen si diçka që e kemi në përjetësi, por në fakt po dobësohemi”, duke përmendur demokracinë, solidaritetin dhe respektin për shtetin e së drejtës.
“Ne, në Evropë, duhet të ngrihemi për këto të drejta të qenësishme,” tha Macron.
Pandemia e COVID-19, argumentoi ai, ka treguar se shoqëritë që janë të lira dhe të hapura kanë mbrojtur qytetarët dhe ekonominë e tyre më mirë se regjimet autoritare.
Ai shprehu keqardhjen që një dobësim i shtetit të së drejtës po vërehet në “shumë nga vendet tona”.
“Ne do të flasim dhe do të mbrojmë fuqinë e shtetit të së drejtës,” vazhdoi ai, por tha se duhet bërë me “dialog” dhe duke u kujtuar njerëzve se sundimi i ligjit nuk është “një shpikje” i bërë në Bruksel”, por rezultat i “historisë së përbashkët” dhe revolucioneve të kontinentit.
Në cilësinë e kryesuesit të presidencës së BE-së, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Evropa duhet të rishikojë marrëdhëniet e saj me Ballkanin Perëndimor. Ai tha se BE duhet t’u ofrojë vendeve një perspektivë “të sinqertë” për anëtarësimin në bllokun evropian.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë përparimin më të madh në bisedimet e anëtarësimit në BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë arritur të nisin bisedimet e anëtarësimit sepse Bullgaria ka vënë veton ndaj Shkupit.
Franca, e cila ka mbajtur presidencën gjashtëmujore të BE-së që nga 1 janari, ka sinjalizuar se presidenca do të fokusohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor/France 24- Argumentum.al