Në Shkup kryeministri Zaev ka zhvilluar sot takime me dy partnerët qeverisës, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi dhe kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi.
Tema është kandidati konsensual për president në zgjedhjet e 21 prillit.
Më herët Zaev zhvilloi bisedime me Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa ka shprehur interes për te diskutuar edhe me Zijadin Selën në opozitë.
Megjithatë, përpjekjet për një kandidat për president të koalicionit qeverisës që të ketë konsensusin e opozitës duket se do të hasin në vështirësi.
Mediat në vendin fqinj shkruajnë se Zaev është shprehur që dy nga tre postet kryesore të shtetit t’i marrin shqiptarët.
Por vetëm në rast se BDI tërheq kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferrin, mundësitë që të zgjidhet një kandidat shqiptar për president do të ishin më të mëdha.
Deri më tani, jo zyrtarisht mësohet se në listën e kandidatëve janë edhe 3 shqiptarë, Abdylmenaf Bexheti, Teuta Arifi dhe Imer Selmani.
Pas takimit të së hënës me Ali Ahmetin, Zaev tha se u ra dakord për një kandidat të përbashkët presidencial dhe se emri i tij do të bëhet i ditur gjatë javës së ardhshme.
Nga ana tjetër, partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE ka zgjedhur pedagogen Gordana Siljanovska si kandidate për zgjedhjet presidenciale.