Presidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që sa më parë të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme sipas tij në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovaki, ai tha se Shkupi duhet të vazhdojë të jetë shembull në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjitha pakicat tjera. Që procesi integrimit evropian të ecë përpara duhet të bëhet edhe një hapë tjetër, të miratohen ndryshimet kushtetuese, ashtu siç jeni marrë vesh”.
“Unë i kuptoj frustrimet sa i përket zgjatjes së procesit të integrimit evropian, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi që të shfrytëzohet momenti aktual dhe mos të humbet edhe më shumë kohë. Ju keni mbështetjen tonë të plotë”, tha presidenti austriak gjatë konferencës për media, më 29 mars, në Shkup.
Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
Van der Belen i bëri thirrje opozitës maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, që t’i mbështes ndryshimet, për të cilat nevojiten dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.