Presidenti Bajram Begaj caktoi 14 majin 2023, si datën e zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare.
Presidenti Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.
Kreu i Shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirinformimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cenojnë votën dhe vullnetin e lirë.
Ndër të tjera, Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.
Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike.
/Argumentum.al