Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, bëri apel nga Forumi Global Baku 2025 për bashkëpunim aktiv rajonal e ndërkombëtar dhe për përballje me guxim me sfidat e sotme, të cilat, sipas tij, i kalojnë caqet politike dhe ekonomike, pasi po cenojnë vlerat e rëndësishme, si: liria, demokracia, dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe siguria.
“Turning challenges into opportunities”, që është dhe tema e edicionit të 12-të “Forum Baku Global”, u cilësua nga Presidenti Begaj jo vetëm si synim, por si domosdoshmëri në kontekstin e situatave të vështira kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjatë kësaj fjale, Presidenti Begaj, ndërsa evidentoi sfidat kryesore me të cilat po përballemi, deklaroi: “Ne kemi nevojë për një rend botëror ku ekonomitë janë të qëndrueshme, ku konfliktet nuk mbahen të ngrira, por zgjidhen, ku shoqëritë forcohen jo nga ndarja, por nga solidariteti, ku paqja ndërtohet e konsolidohet mbi baza besimi e bashkëpunimi. Ne kemi nevojë për guxim dhe vizion të qartë për paqen, për sigurinë, për rritjen ekonomike, për politika që ndryshojnë realisht jetët e qytetarëve tanë”.
Lufta në Ukrainë apo konflikte të tjera kanë cenuar ndjeshëm sigurinë, vërejti Presidenti i Republikës, ndërsa shprehu nevojën për rikthimin e paqes.
Kreu i Shtetit u rikujtoi gjithashtu liderëve botërorë përvojën e daljes nga pandemia Covid 19, duke sugjeruar ndjekjen e modeleve të tilla për kapërcimin e krizave dhe shfrytëzimin e tyre për ndryshim pozitiv dhe zhvillimor.
Një tjetër përvojë e kthimit të sfidës në mundësi u vlerësua nga Presidenti Begaj edhe avancimi teknologjik, një proces që po ndikon në formësimin e botës që kemi sot.Presidenti i Republikës, gjatë fjalës në “Forum Baku Global” solli edhe eksperiencën e kthimit të sfidave në mundësi përmes vizionit të brezit të ri në Shqipëri, vend i cili, nga izolimi, u rikthye në orientimin e tij natyral perëndimor: “Shqipëria ka kaluar një rrugëtim të vështirë: nga totalitarizmi, në demokraci; nga pasiguria, në anëtarësimin në NATO; nga një ekonomi e mbyllur, në ekonominë e tregut të lirë; nga një vend i izoluar, në një vend që u vizitua nga 10 milionë turistë vitin që shkoi e është sot një vend aspirant për në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka zgjedhur demokracinë dhe beson fort në vlerat e saj. Shqipëria ka zgjedhur Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi beson fort në vlerat Euroatlantike, ka zgjedhur Bashkimin Evropian dhe beson në këtë projekt madhor në shërbim të paqes, sigurisë e mirëqenies. Shqipëria bashkëkohore ka ditur të përbashkojë energjinë e shqiptarëve brenda e jashtë vendit për kthimin e sfidave në mundësi. Brezi i ri, me idetë, aspiratat e ambiciet e tij, ka qenë dhe mbeten vendimtar për realizimin e tyre”.

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, SH.T.Z. BAJRAM BEGAJ NË FORUMIN E 12-të GLOBAL TË BAKU-SË
Është kënaqësi të jem mes jush për të vënë edhe një herë theksin te rëndësia e dialogut shumëpalësh si një mekanizëm gjithëpërfshirës.
Në ditët tona, motoja “Turning challenges into opportunities” nuk është thjesht synim, por një domosdoshmëri.
Forumi i Global i Baku-së është një forum i rëndësishëm i cili jep mesazhe shprese në një botë me pasiguri në rritje.
Bota që njihnim para pandemisë, para konflikteve të armatosura në disa pjesë të globit nuk është si më parë e po shkon drejt të panjohurës.
Krizat janë shtuar dhe struktura e stabilitetit global duket e dobësuar.
Konfliktet në rajone e forma të ndryshme ende vijojnë, ndërsa hijet e së shkuarës duket sikur duan të zotërojnë të tashmen.
Bota sot nuk po përballet thjesht me një krizë politike apo një rënie ekonomike.
Ajo sot gjendet në udhëkryqin e mbrojtjes së vlerave që ne çmojmë.
Liria, demokracia, dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe siguria po vihen në provë.
Ato po testohen nga konfliktet, nga kërcënimet hibride, nga krimi i organizuar, nga imigracioni, nga keqinformimi, nga tundimi për t’u imponuarme forcë e nëpërmjet frikës.
Kur frika triumfon mbi guximin, kur ndarja zëvendëson unitetin, kur forca tenton të shtypë të drejtën, atëherë qytetërimi dhe shoqëria dështon.
Momentet e krizës janë, gjithashtu, momente sfidash dhe mundësish të reja.
Sfidat e rendit ndërkombëtar, lufta në Ukrainë apo konflikte të tjera, kanë cënuar ndjeshëm sigurinë.
Në një botë të ndërveprimit kontinental dhe global, nevoja për rikthimin e paqes është e rëndësishme, por më e rëndësishme mbetet pacenueshmëria e kufijve dhe paprekshmëria e sovranitetit të shteteve.
Sfidat kombëtare për luftën ndaj krimit të organizuar dhe kërcënimeve hibride janë tëvështira për t’u kapërcyer kur nuk ka bashkëpunim aktiv dhe të pandërprerë rajonal e ndërkombëtar.

Vala e imigrimit të paligjshëm drejt Evropës na mësoi se kontrolli i kufirit nuk është më i mjaftueshëm nëse nuk adresohet shkaku dhe parandalohet i gjithë mekanizmi.
Përvoja me menaxhimin e pandemisë COVID 19 na mësoi se rrugëzgjidhja më efektive mbetet unifikimi i mekanizmit reagues, si dhe investimi afatgjatë në shkencë e teknologji.
Ne duhet t’i mirëpresim, t’i mbështesim e inkurajojmë zhvillimet teknologjike dhe inteligjencën artificiale.
Ato janë mjete për fuqizimin e individëve, komuniteteve e popujve dhe jo për të penguarzhvillimin e tyre.
Me gjithë zhvillimin e shpejtë teknologjik, që tashmë ka përfshirë çdo qelizë të jetës sonë, ne duhet të mbetemi besnikë ndaj vlerave tona.
Bota që kemi sot, më e avancuara teknologjikisht dhe më e ndërlidhura në histori, nuk u ndërtua në kohë të lehta. Ajo u formësua përmes sfidave.
Ne kemi nevojë për guxim dhe vizion të qartë për paqen, për sigurinë, për rritjen ekonomike, për politika që ndryshojnë realisht jetët e qytetarëve tanë.
Ne kemi nevojë për një rend botëror ku ekonomitë janë të qëndrueshme, ku konfliktet nuk mbahen të ngrira, por zgjidhen, ku shoqëritë forcohen jo nga ndarja, por nga solidariteti, ku paqja ndërtohet e konsolidohet mbi baza besimi e bashkëpunimi.
Për të pasur një botë të jetueshme nesër, na duhet qëndrueshmëri në të sotmen.
Zonja dhe zotërinj,
Eksperienca e vendit tim është dëshmi e një rrugëtimi të vështirë.
Shqipëria ka kaluar një rrugëtim të vështirë: nga totalitarizmi, në demokraci; nga pasiguria, në anëtarësimin në NATO; nga një ekonomi e mbyllur, në ekonominë e tregut të lirë; nga një vend i izoluar, në një vend me rreth 10 milionë turistë në vitin që shkoi dhe aspirant për në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka zgjedhur demokracinë dhe beson fort në vlerat e saj.
Shqipëria ka zgjedhur Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi beson fort në vlerat Euroatlantike, ka zgjedhur Bashkimin Evropian dhe beson në këtë projekt madhor në shërbim të paqes, sigurisë e mirëqenies.
Shqipëria bashkëkohore ka ditur të përbashkojë energjinë e shqiptarëve brenda e jashtë vendit për kthimin e sfidave në mundësi.
Brezi i ri, me idetë, aspiratat e ambiciet e tij, ka qenë dhe mbeten vendimtar për realizimin e tyre.
Shqipëria beson fort në fuqinë e bashkëpunimit, në fuqinë e dialogut dhe në mundësitë e reja që ato sjellin.
Ne besojmë se asgjë nuk mund të arrihet pa paqe dhe siguri.
Ndaj, në rajon e më tej jemi të angazhuar të sigurojmë dialog e stabilitet demokratik.
Në përmbyllje të fjalës sime më lejoni të përmend miqësinë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Miqësia jonë është shumëvjeçare dhe shpaloset në bashkëpunimin e ndërsjellë, veçanërisht në ekonomi e infrastrukturë.
Mbetem i angazhuar për vijimin e forcimin e kësaj marrëdhënieje miqësore në shërbim të popujve tanë, në mënyrë që të mund të ndërtojmë të ardhmen bashkë me qytetarët tanë, me fqinjët dhe me partnerët afër e larg gjeografikisht. Falënderoj këtë forum si një platformë e shkëlqyer dialogu në shërbim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit!
/Argumentum.al