Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti sot në një takim pune Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh. S. Znj. Yuri Kim.
“Gjatë takimit, të dy palët shprehën vlerësimin për partneritetin strategjik mes dy vendeve tona, si dhe diskutuan çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me fusha jetike të bashkëpunimit dypalësh, si: energjia, siguria, reforma në drejtësi, sfidat aktuale globale, etj”, thuhet ne njoftimin e instituciionit te Presidentit.
Gjithashtu, në kuadër të mandatit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm mes dy vendeve.
Të dy palët shprehën vullnetin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe bashkërenduar qëndrimet edhe në të ardhmen për çështje të interesit të përbashkët.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka reaguar pas takimit me presidentin Bajram Begaj në Presidencë.
Në reagimin e saj, ambasadorja Kim shprehet se roli institucional i Presidencës është në përputhje me kushtetutën, dhe thelbësor për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
“Faleminderit President Bajram Begaj për diskutimin e sotëm të çështjeve kyçe të marrëdhënieve. Roli institucional i Presidencës, në përputhje me kushtetutën, është thelbësor për demokracinë dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.
/Argumentum.al