Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, u prit në një vizitë shtetërore nga Presidenti i Azerbajxhanit, Sh.T.Z. Ilham Aliyev.
Pas takimit, Begaj falënderoi Presidentin Aliyev për pritjen shumë miqësore dhe theksoi se, teksa Shqipëria dhe Azerbajxhani festojnë 30 vjet marrëdhënie diplomatike, bashkëpunimi mes dy vendeve është më i fortë se kurrë.
Kreu shqiptar vuri në dukje se të dy vendet e konsiderojnë turizmin një prioritet dhe një sektor shumë të rëndësishëm për ekonominë.
“Për këtë arsye është e mirëseardhur thellimi i bashkëpunimit si dhe prania e investimeve azere edhe në aspektin turistik. Heqja e regjimit të vizave është një mënyrë tjetër për t’i afruar njerëzit tanë. Dhe siç thashë, presidenti Aliyev është një njeri që i sjell premtimet e tij në realitet. Ai më tha sot se kjo do të arrihet shumë shpejt”, theksoi presidenti shqiptar.
Ndërkohë, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se vizita e presidentit Begaj do të forcojë marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe sipas tij, kjo vizitë tregon sesa të ngushta janë marrëdhëniet dhe sa aktiv është dialogu.
“Kemi krijuar një dinamikë mjaft të veçantë në lidhjet dypalëshe, të bazuara në miqësi dhe mbështetje të ndërsjellë. Përkrahim njëri-tjetrin, si në Kombet e Bashkuara, edhe në bashkëpunime të tjera. Kemi diskutuar sot për të ardhmen, marrëdhëniet politike midis dy vendeve dhe veprimtarinë e përbashkëta në organizatat ndërkombëtare. Në agjendën tonë kishte çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe tregtinë. Faktori kryesor i bashkëpunimit ka të bëjë me sektorin e energjisë”, ka deklaruar Aliyev.
Aliyev u shpreh mirënjohës për përkrahjen e Shqipërisë në organizatat ku Azerbajxhani nuk është i pranishëm.
“I kam shprehur mirënjohjen time presidentit dhe qeverisë së Shqipërisë për përkrahjen ndaj Azerbajxhanit në Samitin e Frankofonisë, ku kishte një përpjekje nga një vend anëtar i Frankofonisë për të kaluar një paragraf ku të përfshihej në dokumentin përfundimtar një paragraf kundër thelbit të Azerbajxhanit. Shqipëria ishte vendi i cili e bllokoi këtë paragraf dhe ky ishte tregues i miqësisë dhe angazhimit të fortë të parimeve bazë të ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial. Edhe në organizatat ku Azerbajxhani nuk mund ta mbrojë veten e tij ne kemi të pranishme vende si Shqipëria dhe jemi mirënjohës për këtë”, theksoi ai.
Gjithashtu, Aliyev shtoi se, “kemi diskutuar sot për të ardhmen, marrëdhëniet politike midis dy vendeve, veprimtarinë e përbashkët në organizatat ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë, sigurisht në axhendën tonë kishte çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, tregtinë. Gjithashtu ripërsërita që investitorët e Azerbajxhanit janë të gatshëm që të konsiderojnë në mënyrë serioze projektet në Shqipëri, qoftë në turizëm, në bujqësi, ose në çdo fushë tjetër. Mendoj që në vitet e ardhshme do të kemi informacion më tepër në lidhje me këto që do të hapë dhe një faqe të re në marrëdhëniet tona”.
Por, nënvizoi ai, “deri tani faktori kryesor i bashkëpunimit kishte të bënte me sektorin e energjisë, që është e rëndësishme, jo vetëm për vendet tona, por edhe për një numër të madh vendesh, në veçanti TAP, i cili është korridori gazsjellës që kalon nëpër Shqipëri, tani është burim i sigurisë së energjisë”.
“Duke marrë parasysh punën aktive të Azerbajxhanit në Bashkimin Europian, në çështje të furnizimit me gaz dhe në dokumentet që janë nënshkruar midis BE-së dhe Azerbajxhanit, në partneritetin strategjik për fushën e energjisë, këto të gjitha përbëjnë faktorë të rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, sepse siguria e energjisë nëpër vendet europiane jepet nëpërmjet korridoreve të gazit. Volumet e tregtimit të gazit po rriten dhe prodhimi dhe dërgimi i gazit gjithashtu”, theksoi Aliyev.
Ai foli edhe për projektin e gazifikimit të Shqipërisë,
“Një pikë tjetër e diskutimit gjatë komunikimeve tona është projekti i gazifikimit të Shqipërisë dhe është përzgjedhur një projekt-pilot. Gjithçka po shkon sipas planifikimit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti në lidhje me këtë dhe mendoj se pas kësaj shpresoj do të fillojmë menjëherë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit”, tha Aliyev.
Gjithashtu, vijoi ai, “diskutuam sesi mundemi të zgjerojmë infrastrukturën tonë nga Shqipëria në vendet e tjera fqinje me të”.
“Gjithashtu jam i kënaqur që kemi ambasadën tonë në Tiranë, që ishte një vendim që u mor gjatë vizitës sime zyrtare në Shqipëri dhe kur u ktheva në Baku, ditën e nesërme, gjithashtu dhe ambasada në Tiranë filloi veprimtarinë e saj”, tha presidenti i Azerbjaxhanit.
“Kemi një vullnet mjaft të fortë politik për të vazhduar këto lidhje dhe të gjitha këto marrëveshje janë duke u përmbushur, duke u zbatuar. Shpresoj dhe me këtë vizitë të z. President, ku kemi rënë dakord për të pasur takime të rregullta dhe në çdo takim të rishikojmë çfarë është kryer dhe të planifikojmë hapat e mëtejshëm”, përfundoi Aliyev.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, tha se Azerbajxhani dhe Shqipëria kanë një vullnet të fortë politik për të vazhduar këtë lidhje. Ai u zotua për investime të mëtejshme në rrjetin e shpërndarjes së gazit në vendin tonë.
“Do të kemi një studimi vizibiliteti e pastaj do të vijojmë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit. Kemi diskutuar sesi mund të zhvillojmë infrastrukturën tonë nga Shqipëria në vendet tona fqinje. Jam i kënaqur që kemi ambasadën tonë në Tiranë. Kemi një vullnet të fortë politik për të vazhduar këtë lidhje dhe të gjitha këtë marrëveshje janë duke u zbatuar. Kemi rënë dakord të kemi takime të rregullta”, – tha Aliyev.
Vitin e shkuar presidenti Aliyev vizitoi Tiranën, në vizitën e parë të një presidenti azer në vendin tonë, takim i cili shënoi një një pikë të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan.
Disa ditë pas vizitës zyrtare, Ilham Aliev miratoi hapjen e ambasadës së vendit të tyre në Tiranë.
Këtë vit, shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Për Kreun e Shtetit, sot marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mira se kurrë ndonjëherë.
/Argumentum.al