Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mirëpriti sot ambasadorët austriakë që shërbejnë si të tillë në shtetet e Ballkanit së bashku me përfaqësues të trupës drejtuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë. Në takim u diskutuan marrëdhëniet shqiptaro-austriake, bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet e rajonit dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim për të shprehur mirënjohjen për mbështetjen që vendi i tyre, Austria ka dhënë ndaj Shqipërisë në momentet kyçe të historisë, përfshirë dhe ndihmën në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke folur për raportet e fqinjësisë së mirë në rajon, Presidenti Begaj theksoi se për forcimin e dialogut Austria ka luajtur rolin e saj me ngritjen e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ndërsa solli në vëmendje prioritetet e Shqipërisë për ruajtjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, kontributin e faktorit shqiptar në stabilitetin politik, paqen, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. Shqiptarët në rajon, – theksoi Presidenti i Republikës, – kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pro integrimeve Euroatlantike dhe unë jam krenarë që shpirti pro euroatlantik i tyre nuk është lëkundur asnjëherë. Siç e tregojnë edhe sondazhet e fundit shqiptarët në rajon janë më besnikët ndaj vlerave euroatantike”.

Kreu i Shtetit në bashkëbisedimin me ambasadorët e Austrisë u shpreh se aktorët e tretë në rajon synojnë frenimin e së ardhmes Euroatlantike të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet sulmeve kibernetike, misinformacionit dhe desinformacionit, soft power-it duke u shprehur se “ Shqipëria është e vendosur në qëndrimet e saj ndaj tyre dhe se popujt e Ballkanit kanë një moment mundësie historike në kuadrin e integrimit Euroatlantik që duhet ta shfrytëzojnë në dobi të së ardhmes së tyre e begatimit të jetës së qytetarëve të tyre.”
“Një rajon i sigurt dhe politikisht i qëndrueshëm që diskuton dhe dialogon me njëri-tjetrin, që zhvillon lidhjet e duhura ekonomike brenda vetes, Bashkimit Evropian dhe pjesës tjetër të botës, i shërben interesave kombëtare të Shqipërisë dhe është, gjithashtu, në interes të Ballkanit Perëndimor”, – u shpreh Presidenti i Republikës në këtë takim.Rol stabilizues në këtë drejtim luajnë dhe nismat ndërrajonale, përmes të cilave shtetet e bllokut ballkanik janë të angazhuara të përmbushin integrimin e plotë Euroatlantik, si e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin.
/Argumentum.al