Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi pasditen e sotme pritjen me rastin e festave të fundvitit me gazetarë dhe përfaqësues të medieve.
Në fjalën e tij, Begaj shprehu mirënjohje e tij për gazetarët dhe të gjithë ata që i përkushtohen këtij misioni.
“Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të jem me ju, kërkuesit dhe mbrojtësit të lajmit të vërtetë, kujdestarë të informacionit tonë të përbashkët dhe kontributorë thelbësorë në fuqizimin e vlerave të demokracisë. Ju jeni urë e rëndësishme lidhëse mes ngjarjeve dhe shoqërisë, duke bërë të njohur të vërtetën dhe duke sjellë informacione të rëndësishme në jetën tonë të përditshme”, tha Begaj.
Presidenti vuri në dukje se, puna e medias është më shumë se përgatitja dhe përcjellja e lajmit. Begaj theksoi se, sa më e respektuar dhe profesionale të jetë media shqiptare, aq më shumë do të jetë e informuar dhe e përfshirë shoqëria, dhe shumë më e fortë do të jetë demokracia. Sipas tij, media është përballur me një sërë sfidash të rëndësishme, të evidentuara edhe në progresraportin e fundit të Komisionit Evropian.
“Integriteti dhe funksionimi i medias në vendin tonë janë tema të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. Në kohën e rrjeteve sociale dhe teknologjisë së komunikimit që zhvillohet me shpejtësi marramendëse, mbi supet tuaja bie edhe një pjesë e madhe e peshës së edukimit të publikut me cilësinë e lajmit dhe të të rinjve me pasionin për profesionin e informacionit cilësor”, tha Presidenti gjatë fjalës së tij, teksa vuri në dukje nevojën për të bashkëpunuar dhe luftuar llojet e ndryshme të diskriminimit.
Sipas tij, Inteligjenca Artificiale mund ta përforcojë punën e medias duke hapur horizonte të reja për transmetimin e informacionit dhe për analizimin e të dhënave, por teknologjia duhet t’i shërbejë shoqërisë, jo e kundërta.
“Mediat sociale e kanë diversifikuar informacionin, i kanë dhënë zë gjithsecilit, kanë hapur mundësi të mëdha, por, gjithashtu, edhe sfida të reja. Ky diversifikim i lajmit ka ardhur me një kosto të lartë për cilësinë e tij për shkak të keqinformimit dhe të fake news-ve, ndaj, roli juaj si profesionistë të informimit është më i rëndësishëm se kurrë. Ju jeni ata që hidhni dritë mbi të vërtetën duke verifikuar informacionin në një oqean përmbajtjeje të pafiltruar.
Këtij oqeani të trazuar lajmesh e komentesh i është shtuar tashmë dhe Inteligjenca Artificiale, e cila, ashtu si mediat sociale, ka një potencial të pakufishëm, aq sa paraqet edhe rreziqe. Inteligjenca Artificiale mund ta përforcojë punën tuaj duke hapur horizonte të reja për transmetimin e informacionit dhe për analizimin e të dhënave, por teknologjia duhet t’i shërbejë shoqërisë, jo e kundërta. Ju nxis ta përdorni atë me kujdes, etikë, humanizëm, profesionalizëm dhe gjithmonë në shërbim të së vërtetës”, tha Begaj.
Sipas tij, “përballja me këto sfida kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, organizatave të medias dhe shoqërisë civile për të mbrojtur lirinë e shtypit, për të siguruar informim të saktë dhe për të mbështetur zhvillimin e një mjedisi mediatik të qëndrueshëm, të besueshëm dhe të paanshëm”.
Kreu i Shtetit theksoi se, “profesioni i gazetarit përbën një mision jetik për shoqërinë. Ai është garanci për një shoqëri më të drejtë”.
“Jetojmë në një botë të polarizuar me botëkuptime të ndryshme mes brezash, grupeve sociale e kulturore. Komunikimi në ambiente të ndryshme, veçanërisht në shkolla, është ashpërsuar. Ju ftoj të bashkojmë forcat në të përditshmen e në nisma inovative për të dhënë shembujt pozitivë dhe praktikat e komunikimit paqësor e cilësor”, vijoi ai.
Begaj tha se “në intensitetin e imazheve dhe zërave në shumë rrjete, le të nxisim e paraqesim zërin dhe imazhin e qytetarisë, vetëpërmbajtjes, dijes dhe mirëkuptimit, të gjitha këto të domosdoshme për një shoqëri të zhvilluar dhe një të ardhme të mirëqenë e të begatë në vendin tonë. Kjo është veçanërisht e nevojshme në kohë si tonat, shumë sfiduese. Konfliktet e luftërat vijojnë në Evropë dhe Lindjen e Mesme”.
“Në këto kohë tensionesh, lajmi i vërtetë gjendet vetëm te mediat profesioniste, të cilat padyshim janë të sfiduara si nga lajmet e rreme e deep fake, ashtu dhe nga vështirësitë financiare.
Gjithsesi, zëri i profesionistëve të medias së guximshme nuk ka munguar dhe media profesionale mbetet një busull që na udhëheq në vlerësimin e drejtë të kompleksitetit të realiteteve. Ju siguroj se Presidenti ka vëmendjen e vullnetin për t’ju dëgjuar e mbështetur. Përpjekja dhe integriteti juaj janë të shenjta. Ju jeni profesionistë të nderuar dhe frymëzim për të rinjtë e të rejat që do të ndjekin rrugën tuaj, për t’ju përkushtuar të vërtetës dhe një profesioni sfidues në shërbim të së drejtës themelore për informim”, shtoi ai.
“Profesioni juaj përbën një mision jetik për shoqërinë. Ai është garanci për një shoqëri më të drejtë. Padyshim, jo çdo gjë varet nga ju, por ju keni pushtetin e katërt, ndoshta atë më të fuqishmin në botën e sotme. Unë uroj ta përdorni këtë pushtet me përgjegjësi”, nënvizoi Begaj.
/Argumentum.al