Presidenti Bajram Begaj dënon ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj shprehet se “asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.
“Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike”, thekson Kreu i Shtetit.
Në përfundim, Presidenti tha se: “i përsëris publikisht thirrjen time vëllazërore autoriteteve kosovare për më shumë durim e maturi dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë”.