Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë edhe në komunën e Roshanos, ku u takua me autoritetet vendore të komunës si dhe rajonit të Abrucos, me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Roshanos, por edhe me diasporën e re shqiptare të vendosur aty në tre dekadat e fundit.
Në këtë takim, Presidenti Begaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Roshanos, Dr. Simone Palozo.
Në fjalën e mbajtur, Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin e komunitetit arbëresh të Vila Badesës, që kanë ditur të ruajnë gjuhën, kulturën, traditat e të parëve.
“Shumë faleminderit për këtë mikpritje të ngrohtë e vëllazërore që organizuat me rastin e ardhjes time në Vila Badesa, dhe për më tepër të organizuar në këtë Kishë simbol të arbëreshëve dhe krenarie për çdo shqiptar”, tha në fjalën e tij Presidenti Begaj.
Duke folur për atmosferën familjare që çdo shqiptar përjeton në Vila Badesa, Presidenti Begaj tha se: “Sheshi, kisha, rrugët, busti i Kryezotit të Arbërit, shtëpitë, gatimi – të gjitha rrezatojnë trashëgiminë tuaj arbërore dhe për këtë ju jemi vërtet mirënjohës.”
Presidenti u ndal dhe tek takimi me Presidentin Mattarella, duke nënvizuar se: “Ju siguroj se një pjesë të rëndësishme të takimit me Presidentin Mattarella, ju kushtua vëmendjes ndaj arbëreshëve, për të cilën ju siguroj se ai kishte një respekt të jashtëzakonshëm, dhe lamë të zhvillojmë projekte të përbashkëta në interes të arbëreshëve. Në kushtet e sotshme, duhet të bëjmë akoma më shumë, që gjuha arbëreshe, traditat unikale fetare, të ruhen e trashëgohen edhe tek brezat e ardhshëm.”
Kreu i Shtetit falenderoi autoritetet e rajonit të Abrucos për ndihmën që i kanë dhënë përherë diasporës shqiptare që të integrohet në shoqërinë italiane. “Praktikisht në Itali jetojnë më shumë se gjysëm milioni shqiptarë, të cilët janë pjesë e shoqërisë italiane, shumë mirë të integruar në këtë shoqëri,” – tha Presidenti Begaj. Arbëreshët po ashtu edhe shqiptarët e ardhur pas viteve ’90, asnjëherë nuk kanë qenë të rrezikuar nga asimilimi i gjuhës së tyre apo traditat e tyre. Presidenti shprehu gëzimin e tij që tashmë në këshillat komunalë ka shqiptarë të zgjedhur, si dhe që në Peskara ishte hapur për herë të parë një shkollë shqipe.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi gjithashtu dhe qytetin e Kietit, ku u prit nga autoritetet lokale, ndër të cilët Kryetari i Bashkisë të Kietit, Diego Ferrara, Presidenti i Provincës së Kietit, Francesco Menna, Prefekti i Chietit, Mario Della Cioppa etj.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Presidenti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që i është dhënë shqiptarëve për t’u integruar në Itali, por edhe në ndihmesën që i është dhënë Shqipërisë në proceset integruese.
Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu ndihmën e qendrës spitalore të Kietit dhe Provincës së Kietit, në trajtimin e fëmijëve dhe pacientëve shqiptarë, veçanërisht në repartin e hematologjisë.
Në fund të takimeve të tij, Presidenti kërkoi që komuniteti shqiptar i vjetër dhe i ri në Itali, ashtu sikundër dhe komuniteti Italian në Shqipëri, të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse e fortë mes Shqipërisë dhe Italisë.