Presidenti Bajram Begaj priti sot homologun italian Sergio Mattarella i cili ndodhet për vizitë zyrtare 2-ditore në Shqipëri.
Në daljen e përbashkët me Presidentin e Italisë Mattarrella, Presidenti Begaj tha se Shqipëria dhe Italia janë dy vende me lidhje të hershme dhe të qëndrueshme ndër shekuj si vende mike me një afërsi jo thjesht gjeografike, por në radhë të parë historike, kulturore, shpirtërore e njerëzore.
“Ne sot kremtojmë këtë lidhje të fortë, që na siguron se popujt tanë do të vijojnë të mbështesin paqen, fqinjësinë e mirë, solidaritetin vëllazëror dhe rrugëtimin tonë të përbashkët në vlerat më të mira evropiane. Kodi i mikpritjes shqiptare, jo vetëm e ka përcaktuar vendin e nderit për mikun, por edhe na mëson se “miku i mirë njihet në kohë të vështira” – e Italia mike ka qenë e tillë për popullin tonë në kohë të mira e në kohë të vështira. Ne i jemi mirënjohës popullit italian, që në një botë që kërcënohet nga racizmi dhe ksenofobia mbetet shembull jo vetëm i integrimit dhe solidaritetit vëllazëror, por afirmimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave kulturore e shpirtërore të një bashkësie tjetër. Komuniteti i arbëreshëve është një shembull i rrallë, që lartëson vlerat më të mira shpirtërore të dy popujve tanë. Komuniteti arbëresh në Itali, si dhe ai shqiptar i valëve të mëvonshme të emigracionit, janë ura të qëndrueshme miqësie dhe vëllazërie, të cilët jo vetëm kanë arritur të integrohen, por janë mishërimi më i mirë i afërsisë së natyrshme kulturore e njerëzore mes dy vendeve dhe popujve tanë”, tha Begaj.
Presidenti Begaj informoi se ndau sot me Presidentin Mattarella mendimin, se vizitat e shpeshta në nivele të larta, janë jo vetëm shprehje e vëmendjes së politikës së jashtme të dy vendeve tona, pavarësisht qeverive në pushtet, por edhe rëndësisë prioritare që i japim forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politike, ekonomike, parlamentare, institucionale, kulturore.
“Në rrugëtimin e saj euroatlantik, Shqipëria ka qenë me fat që ka gjetur tek Italia, një mike të vyer dhe mbështetëse të pakursyer të përpjekjeve për integrim. Ne jemi mirënjohës që politika e jashtme italiane, prej vitesh, e ka përcaktuar si prioritet të saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke mbetur e palëkundur në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian shënon një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që kërkon përkushtim të shtuar në një proces transformues për të gjitha institucionet dhe ekonominë tonë”, tha ai.
“Me Presidentin Mattarella biseduam për rëndësinë e vijimit të mbështetjes italiane, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, në përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim dhe përshpejtimin e këtij procesi”, informoi Begaj.
“Prej dekadash, marrëdhënia me Italinë është e një rëndësie parësore për ne, e ngritur në nivelin e një partneriteti strategjik. Italia është partneri ynë i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateral dhe nga investitorët më të rëndësishëm, si për nivelin e financimeve, ashtu edhe për spektrin e ndihmës së ofruar”, tha ai.
Begaj shtoi se me Presidentin Mattarella ndau përkushtimin, që institucionet tona duhet të vijojnë bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm, për të shfrytëzuar çdo potencial bashkëpunimi me interes për të dyja palët.
“E sigurova Presidentin, se ne mirëpresim një prezencë të shtuar të biznesit italian dhe vlerësojmë kontributin e sipërmarrjeve italiane në zhvillimin e vendit.Komisioni i Parë i Përbashkët Ekonomik i zhvilluar në Romë vitin e kaluar, është një instrument i rëndësishëm në identifikimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe eliminimin e pengesave për bashkëpunim. Financimi i programeve që synojnë konsolidimin e sistemeve të prodhimit, lidhjen me rrjetet rajonale të infrastrukturës, promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale – së bashku me ato arsimore dhe shëndetësore – shihen me rëndësi për zhvillimin e vendit. TAP-i është një instrument me peshë strategjike, jo vetëm për vendet tona, por për gjithë rajonin dhe BE-në, duke qenë se na bën komplementarë në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe rritjes së sigurisë energjetike. Bashkëpunimi dhe projektet e deritanishme në sektorin e gazit dhe atë hekurudhor, janë me rëndësi dhe ofrojnë hapësira për eksplorim të mëtejshëm. Bashkëpunimi ndër-institucional ka pasur zhvillime pozitive në vitet e fundit, me negocimin e disa marrëveshjeve, si ajo për njohjen e lejeve të drejtimit apo dhe marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore (pensioneve), etj. Për këtë të fundit, i kërkova Presidentit mbështetje që të përmbyllet sa më parë dhe të pasohet me të tjera nisma, që lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë. Një fushë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit, për të cilën biseduam, është ajo ndërmjet agjencive ligjzbatuese – të dyja palët e konsiderojmë shumë të rëndësishëm vijimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, tashmë të konsoliduar, në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, goditjen e organizatave kriminale në Shqipëri dhe Itali, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta, shkëmbimin e informacionit”, tha ai.
Po ashtu, Begaj shtoi se vendet tona bashkëpunojnë në një sërë nismash rajonale dhe ndërkombëtare – Nisma Adriatiko-Joniane, CEI, Procesi i Berlinit dhe nisma të tjera rajonale, të gjitha forume të rëndësishme për të konsoliduar lidhjet mes vendeve dhe ndërtuar një rajon dhe Evropë në paqe dhe mirëqenie.
“Me kënaqësi vërejtëm sot, se bashkëpunimi ynë në të gjitha organizmat dhe forumet ndërkombëtare është i shkëlqyer dhe se duhet të vijohet në të njëjtën rrugë për të bashkërenduar dhe avancuar të gjitha prioritetet e agjendave të përbashkëta. E falenderova mikun e nderuar për mbështetjen e pakursyer, që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Së bashku, ne ndajmë të njëjtën politikë të jashtme në promovimin e stabilitetit, paqes, sigurisë, fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirjes, për të mundësuar një rajon në paqe, të zhvilluar dhe në BE”, tha ai
Gjithashtu Begaj foli me presidentin e Italisë për situatën në rajon dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
“Me Presidentin biseduam për rëndësinë e ruajtjes së peshës së BE-së dhe NATO-s në rajon. Vendet e Bashkimit Evropian duhet të ndihmojnë Ballkanin, që të vijojë i palëkundur në rrugëtimin Euro-Atlantik pa lënë hapësira influence, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë larg rajonit. Ne e vlerësojmë si shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit prezencën e KFOR-it në Kosovë, si një prezencë që reflekton paqe dhe stabilitet. E falenderova Presidentin Mattarella për mbështetjen që shteti Italian i ka dhënë Kosovës dhe theksova rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj mbështetjeje, veçanërisht për çështjet e sigurisë, liberalizimit të vizave, atë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe vijimin e dialogut me Serbinë. Shqipëria mbështet dialogun Serbi-Kosovë dhe beson se formula e zgjidhjes e shprehur nga Presidenti Biden dhe kancelari Scholz, si “marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, që rezulton në njohje të ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE është zgjidhja e duhur për të garantuar paqe të qëndrueshme në Ballkan. Për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Italia ka luajtur një rol parësor dhe ka ofruar një ndihmë të jashtëzakonshme, për të cilën ne jemi mirënjohës. Si vende anëtare në NATO, ne jemi të bashkuara si mike dhe aleate. Ndamë me Presidentin Mattarella shqetësimin e përbashkët për situatën e pazakontë të sigurisë dhe kërcënimet e shtuara, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë”, tha ai.
Po ashtu, Begaj informoi se me homologun italian ndau vendosmërinë e përbashkët që dy vendet tona do të vijojnë të rrisin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të mbeten kontributorë të paqes dhe sigurisë në botë e të dënojnë çdo agresion apo ndërhyrje ushtarake, që synon robërimin e popujve të lirë.
Lexoni të plotë fjalën e Presidentit Begaj:
/Argumentum.al