Presidenti Bajram Begaj ka thirrur ditën e sotme në një takim krerët e grupeve parlamentare.
Kreu i shtetit nisi sot konsultimet lidhur me datën e zgjedhjeve vendore që do të mbahen në vitin 2023.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi një takim me Presidentin Bajram Begaj lidhur me datën e zgjedhjeve vendore.
Në një prononcim për gazetarët pas takimit në presidencë, Meta tha se “data duhet të shpallet sa më shpejt, pasi një orë e më parë qytetarët duhet të shpëtojnë nga kjo zgjedhë moniste në pushtetin vendor”.
“Qëndrimi im shumë i qartë sa më parë të shpallet kjo datë në respekt të gjithë afateve kushtetuese e ligjore. E besoj se kështu do të ndodhë sepse një orë e më parë qytetarët e Shqipërisë duhet të shpëtojnë nga kjo zgjedhë moniste në pushtetin vendor nga ky shpërdorim i taksave të tyre, hapësirave, e gjithçka që ka ardhur nga degradimi i një pushteti monist vendor”, tha ai.
Sipas tij, rikthimi i opozitës dhe pluralizmit politik në këshilla bashkiakë do japë kontribut për forcimin e llogaridhënies.
“Data konkrete i takon vetë Presidentit dhe nuk besoj se një javë më parë apo një javë më shumë është e rëndësishme. Ai që duhet të gjykojë pasi ka dëgjuar aktorët. Data të dihet sa më parë e KQZ të ndërmarrë veprimet e saj”, tha Meta.