Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uroi sot shqiptarët për Vitin e Ri 2024.
“Afrimi i vitit të ri përbën një moment të veçantë për të gjithë ne. Është festë e shprehjes së ngrohtësisë familjare e shoqërore rreth tavolinave të mbushura me dashuri. Është festë e mirëseardhjes dhe e shpresës për të ardhmen, festë që nuk na ndan, por na afron më pranë njëri -tjetrit. Kjo është festa e të gjithëve”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit ndau disa reflektime mbi rrugëtimin tonë të përbashkët dhe aspiratat për ardhmen.
“Viti që lëmë pas pati zhvillime pozitive. Këtu veçoj forcimin e pozitës tonë ndërkombëtare dhe rritjen e reputacionit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Treguam se ndonëse vend i vogël, i kemi të gjitha mundësitë të jemi faktor në rajon dhe kontribues për paqen në botë”, tha ai.
Megjithatë, shtoi Begaj, “rritja e rolit tonë në arenën ndërkombëtare dhe përmirësimi i imazhit të Shqipërisë, nuk mund të kuptohen pa politika të mira brenda vendit”.
“Këtë vit, miliona turistë vizituan vendin tonë. Në Shqipëri ata gjetën jo vetëm bukuritë e natyrës, por edhe mikpritjen tradicionale të shqiptarëve”, theksoi Begaj.
Gjithashtu, nënvizoi ai, “vijuam angazhimin tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.
“Jemi të vetëdijshëm se procesi nuk është vetëm një ushtrim i thjeshtë administrativ, por transformim i thellë institucional dhe shoqëror. Sistemi i drejtësisë, i ka të gjitha mundësitë të jetë mishërues i këtij transformimi. Beteja për shtetin e së drejtës nuk është as e përfunduar as e fituar. Ne kemi ende shumë rrugë për të bërë që shteti ynë të jetë i drejtë dhe transparent”, tha Kreu i Shtetit.
Ndërsa, shtoi ai, një rrugë më e gjatë është ajo drejt drejtësisë sociale.
“Për këto dy aspekte themelore të drejtësisë, asaj juridike dhe sociale, i bëj thirrje të gjitha forcave politike, që pavarësisht dallimeve, t’i japin përparësi interesave të qytetarëve shqiptarë”, theksoi Begaj.
“Ndaj dhe aspirata kryesore për vitin në vijim mbetet shteti i konsoliduar i së drejtës, drejtësi e gjithëpranishme sociale dhe reduktim i polarizimit në shoqëri, politikë dhe ekonomi”, tha Presidenti i Republikës.
Ai shprehu bindjen se, “me politika të drejta dhe stimuluese ekonomike, me investime publike të mençura, me koordinim ndërsektorial dhe duke administruar me eficiencë burimet njerëzore, e ardhmja do të jetë më e sigurt dhe begatë”.
“Të gjithë së bashku duhet të punojmë për të krijuar mundësi të reja, tërheqëse, që të rinjtë të duan ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, në atdhe”, u shpreh Begaj.
“Dua tu uroj të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, vëllezërve dhe motrave në Kosovë e në rajon një vit të ri të mbarë, të paqtë dhe të begatë”, tha Presidenti Begaj.
Në mbyllje të mesazhit ai u ndal, te njerëzit e thjeshtë, te punëtorët dhe profesionistët e angazhuar për të mirën personale dhe për të mirën e vendit.
“Dua t’ju them se secili prej jush e të gjithë ne bashkë, jemi Shqipëria. Të gjithë bashkë japim kontributin në ndërtimin e një të ardhme më të mire e më të qëndrueshme. Këtë prag viti të ri, le ta shohim bashkërisht të ardhmen me besim te vetja dhe te vendi. Vetëm kështu do të dimë të hapim horizonte shprese”, u shpreh Begaj.
“Gëzuar Vitin e Ri 2024, shëndet e mbarësi në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen”, përfundoi mesazhin e tij Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.