Pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka ndjekur me vëmendje dhe shumë shqetësim situatën konfliktuale të krijuar midis banorëve dhe autoriteteve publike në kuadrin e projektit të Unazës së Re, ai ka reaguar sot kundër zbatimit të tij.
Vendim ky, pas një takimi që ai pati me një përfaqësi të banorëve të Unazës se Madhe, të cilët i kanë parashtruar atij të gjitha shqetësimet dhe kundërshtimet e tyre, si dhe i kanë vënë në dispozicion të dhëna të cilat hedhin më shumë dritë mbi problematikat për realizimin e këtij projekti.
“Presidenti i Republikës në qëndrimet e Tij publike, që prej datës 14 nëntor 2018 e në vijimësi, i ka kërkuar autoriteteve përgjegjëse që:
– Të tregojnë përgjegjshmëri për trajtimin e këtij rasti;
– Të bëjnë transparencë të plotë për të gjithë procesin e ndjekur;
– Të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore, për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban në mënyrë që realizimi i tij të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi;
– Të nisin sa më parë një proces dialogu me banorët, për shqyrtimin e pretendimeve të tyre, në mënyrë që të gjitha ankesat të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi;
– Të tregojnë vullnet për të konsultuar dhe për të harmonizuar interesin publik me interesat më jetike të qytetarëve që preken.
– Të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive
themelore të njeriut të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidentit të Republikës i janë paraqitur në mënyrë të vazhduar peticione me shkrim, ankesa, dhe të dhëna të tjera nga banorët e zonës së Unazës së Re nëpërmjet të cilave ata paraqesin kundërshtimet e tyre për realizimin e këtij projekti në formën që është miratuar ku denoncojnë
problematikat e theksuara ligjore të realizimit të këtij projekti nga
autoritetet përkatëse publike”, ka theksuar ai.