Presidenti francez Emanuel Macron nga Madridi gjatë ditës së sotme, bëri me dije se është gjetur kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për heqjen e vetos bullgare.
“Mund të them se është gjetur kompromis, kompromis i cili e ruan ndjeshmërinë e të dy palëve dhe besoj se është i pranueshëm për të gjithë. Në ditët në vazhdim edhe të dyja palët do të konfirmojnë këtë”, ka thënë Macron.
Ai tha se kryeministri bullgar dhe presidenti e kanë pranuar këtë version ndërsa bisedime do të ketë në ditët në vazhdim në Shkup.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka pranuar propozim nga Presidenca franceze me ide që i referohen qëndrimeve tona të shprehura publikisht. Kjo paraqet bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertin dhe publikun e gjerë në vend”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
“Siç edhe premtuam, vendimin për të ardhmen do ta marrim bashkërisht, sipas meritave, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të saj. Ne dëshirojmë të falënderojmë Presidentin Macron dhe Presidencën franceze për përpjekjet e tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të ruajtur kredibilitetin evropian në Ballkan”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë po nga Madridi pas lajmit nga Macron ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama i cili ka bërë thirrje liderëve shqiptarë dhe maqedonas në Maqedoninë e Veriut, që të pranojnë propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se pranimi i këtij propozimi hap rrugën për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari,i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas&shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”, shkruan Rama në Twitter.
/Argumentum.al