Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi të qëndrojë në kontakt me presidentin rus Vladimir Putin në një fjalim televiziv të mërkurën në mbrëmje, duke iu drejtuar kombit francez.
Macron dënoi ashpër agresionin rus dhe mbështeti popullin ukrainas, duke paralajmëruar një “epokë të re” për Evropën në tërësi dhe njoftoi masa të mundshme mbrojtëse për ekonominë.
“Presidenti Putin ka zgjedhur luftën vetëm dhe qëllimisht. Kjo luftë nuk është një konflikt mes NATO-s nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër. Rusia nuk sulmohet, është agresori”, tha ai, duke përshkruar “sulmin brutal” dhe “propagandën e paqëndrueshme” të Moskës. Megjithatë, ai u zotua të qëndrojë në kontakt me Putinin në një përpjekje për ta bindur atë të “parandalojë ngjitjen dhe përhapjen e konfliktit”.
“Ne nuk jemi në luftë me Rusinë. Sot ne qëndrojmë me të gjithë rusët, të cilët, duke refuzuar që të bëhet një luftë e padenjë në emër të tyre, kanë frymën e përgjegjësisë dhe guximin për të mbrojtur paqen dhe që e bëjnë të ditur këtë në Rusi dhe gjetkë”, shtoi ai.
Macron paralajmëroi gjithashtu për efektet e luftës që do të ndiheshin në mënyrë të pashmangshme në të gjithë Francën dhe Evropën në tërësi, pasi bujqësia, industria dhe shumë sektorë ekonomikë që varen nga importet nga Rusia dhe Ukraina do të ishin në rrezik.
Për të frenuar ndikimin, ai tha se autoritetet franceze do të krijonin një “plan të qëndrueshmërisë ekonomike” brenda pak ditësh. Ai njoftoi gjithashtu se Franca do të presë një samit në Versajë më 10 dhe 11 mars, kur liderët evropianë do të diskutojnë pavarësinë energjetike dhe mbrojtjen.
Sipas Macron, ngjarjet në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë do të kenë pasoja të qëndrueshme për kontinentin në tërësi, duke sinjalizuar “ndryshimin e një epoke”. Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi kolegët e tij evropianë për “unitetin dhe vendosmërinë” e treguar në përgjigje të konfliktit.
“Evropa jonë ka demonstruar një unitet të jashtëzakonshëm, por tani duhet të pranojë të paguajë çmimin për paqen, lirinë, demokracinë,” tha ai.
Ai gjithashtu premtoi se Franca do të luajë rolin e saj dhe do të mirëpresë ukrainasit e zhvendosur nga lufta, duke përfshirë fëmijët e ndarë nga prindërit e tyre.
Fjalimi vjen ndërsa fushata presidenciale në Francë është gati të fillojë, por nuk ka të bëjë me politikën e brendshme, konfirmoi zyra e Macron. Presidenti nuk ka deklaruar zyrtarisht deri më tani se do të kandidojë për rizgjedhje pavarësisht se kanë mbetur vetëm dy ditë deri në afatin përfundimtar, por ka shumë pak gjasa që ai të refuzojë të hyjë në garë.
Vlerësimet e Macron janë rritur gjatë javëve të fundit, pasi trajtimi i tij i krizës ruso-ukrainase dhe problemet e lidhura me të janë parë pozitivisht nga francezët.