Presidenti i Maqedonisë së Veriut bëri vizitën e parë shtetërore në Greqi të martën, ndërsa dy vendet fqinje vazhdojnë të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e dekadave të kaluara.
Presidenti Stevo Pendarovski u takua në Athinë me Presidenten greke Katerina Sakellaropoulou dhe Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, duke kërkuar mbështetje për përpjekjet e bllokuara të vendit të tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Me ceremoni solemne në pallatin presidencial në Athinë, u prit presidenti Stevo Pendarovski nga homologia e tij Katerina Sakellaropullu. Ky është takimi i parë bilateral të këtij niveli që nga pavarësia e vendit.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës zyrtare në Greqi, realizoi takim edhe me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë.
“Në takimin bashkëfolësit shkëmbyen mendime për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, me ç’rast u vlerësua se vizita zyrtare në nivelin më të lartë shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy shteteve”, theksohet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit të Maqedonisë së Veriut.
Pendarovski vlerësoi se ekziston përmirësim i dukshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, me potencial për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë.
Në takim, Pendarovski theksoi se duhet të shfrytëzohet tërë potenciali dhe dy shtetet të ndërtojnë partneritet të vërtetë strategjik.
“Bashkëbiseduesit në takimin diskutuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shprehën kënaqësinë me trendin e rritjes së shkëmbimit tregtar. Presidenti Pendarovski shprehu besimin se bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë themeli i marrëdhënieve midis dy vendeve, duke pasur parasysh përfitimet për ekonomitë e të dyja palëve. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjes infrastrukturore midis dy vendeve”, theksohet në njoftim.
Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e fortë që Greqia u jep aspiratave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), duke vlerësuar se zhbllokimi i procesit do të kontribuojë në stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit.
“Mesazhet nga Athina janë pozitive sa i takon mbështetjes që i jep Greqia integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Autoritetet në Athinë kërkojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës nga ana e Maqedonisë së Veriut. Palët janë dakorduar për vazhdimin e marrëdhënieve të mira ekonomike dhe politike”.
Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës, deklaroi presidentja greke, është i rëndësishëm për mbështetjen që i jep Athina-Shkupit në procesin euro-integrues.
Do te doja ta konfirmoj që ne i japim rëndësi përforcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe perspektives evropiane të Maqedonisë së Veriut. Pajtoheni se zbatimi i plotë dhe me vullnet të mirë i Marrëveshjes së Prespës është kyç për arritjen e këtyre dy qëllimeve. Tashmë kanë kaluar dy vite e gjysmë që kur Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fuqi. Nga ana e Maqedonisë së Veriut janë bërë disa hapa pozitivë por përsëri shumë çështje mbeten të pazgjidhura. Mbyllja e këtyre çështjeve të hapura do të mundësojë zhvillim të mëtejmë të marrëdhënieve tona – tha Katerina Sakellaropullu, Presidente e Greqisë.
Presidenti Pendatovski deklaroi se është lajm i mirë që të dy komisionet të cilat dalin nga marrëveshja dhe të cilat s’janë takuar që nga fillimi i pandemisë, kanë caktuar takimet e radhës.
Mu konfirmua që Marrëveshjen e Prespës, pavarësisht qëndrimeve aktorët i kanë pasur më herët ndër vite do ta zbatojnë, se vlen dhe se duan zbatim të plotë të tij. Unë thash se ajo marrëveshje është dera jonë në integrimet euro-atlantike dhe e kemi për qëllim ta zbatojnë deri në pikën dhe presjen e fundit. Presim që të dy vendet të qëndrojnë pas asaj që është shkruar – deklaroi presidenti Stevo Pendarovski,
Ish -republika jugosllave e Maqedonisë shpalli pavarësinë në 1991, por vetëm normalizoi marrëdhëniet me Greqinë në 2018 pasi ra dakord të ndryshonte emrin në Maqedoninë e Veriut për të adresuar shqetësimet e Athinës për rajonin e saj verior të Maqedonisë.
Maqedonia e Veriut dhe pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova – të gjithë kërkojnë anëtarësimin në BE, por anëtarët ekzistues janë të ndarë në planin kohor të zgjerimit të bllokut prej 27 vendesh.