Joseph Daul, President i Partive Popullore Eruopianë, në një deklaratë për zhvillimet në Shqipëri ka shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet demokracia në vend.
Kreu i partive të djathta europiane, thekson se e drejta e opozitës në Parlament duhet të respektohet, ndërsa shton se të gjitha zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira e të ndershme, blerja e votave është e papranueshme.
“Jam i shqetësuar për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Të gjitha zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira e të ndershme, blerja e votave është e papranueshme. Të drejtat e opozitës në parlament duhet të respektohen. Nevojiten më shumë përpjekje në luftën krimit dhe korrupsionit, përfshirë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit“,– shprehet Daul në deklaratën e tij.
Por me postimin e këtij mesazhi, ka patur një reagim të papritur nga ana e drejtuesit të marrëdhënieve me publikun të Ramës. Endri Fuga ka postuar në mesazhin e Daul një foto të momentit të bojatisjes së Ramës nga ana e deputetit Paloka.
Fuga i shkruan me ironi Presidentit të PPE-së, duke i thënë:
“Këto janë të ‘drejtat’ që opozita jonë ushtroi sot në parlament. Prezumohej të ishte një sesion për Maqedoninë e Veriut, por deputeti mendoi se do të ishte e “mençur” t’i hidhte bojë kryeministrit”.