Presidenti i ri i Malit të zi, Jakov Millatoviç ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel, ku është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borella dhe me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelji.
“Vizita ime e parë zyrtare në Bruksel është një hap përpara drejt vizionit të Malit të Zi si anëtar i plotë i BE-së në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Dhe mesazhet nga takimet ishin në atë sfond, duke inkurajuar, mbështetur dhe mirëpritur të gjitha planet reformuese që ka Mali i Zi në periudhën e ardhshme, të cilat kanë të bëjnë me reformën në gjyqësor dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve”, tha Milatoviq.
Presidenti thotë gjithashtu se është i inkurajuar nga ajo që ka dëgjuar në takimet me zyrtarë të BE-së.
“Mendoj se Mali i Zi ka hapësirë të mirë për të përmbushur qëllimin e tij duke përshpejtuar rrugën e tij drejt BE-së dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së”, tha Milatoviq.
Ai po ashtu thekson se në takimin me Varheljin ka kërkuar edhe mbështetje financiare, veçanërisht për infrastrukturën.
“Pres që qeveria e ardhshme të jetë fort e orientuar drejt Europës, pa asnjë shtrembërim. Unë, qytetarët dhe partnerët e BE-së presim që qeveria të përveshë mëngët dhe të bëjë gjithçka që pritet prej saj”, tha presidenti.
Milatoviq po ashtu thotë se i ka njoftuar partnerët e BE-së për dialogun e brendshëm që ka filluar.
“Në këtë kuptim janë marrë të gjitha lavdërimet dhe pres që e gjithë kjo të rezultojë me hapa të mirë deri në fund të vitit, kur Mali i Zi më në fund do të marrë një raport të mirë progresi”, tha Milatoviq.
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë të martën në Bruksel se Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe është i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE.
Ai këtë e tha duke folur në Bruksel para gazetarëve së bashku me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë në selinë e BE-së prej kur është zgjedhur në postin e presidentit të këtij shteti.
Borrell ka falënderuar Malin e Zi për përshtatje me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe siguirisë. Ai ka thënë se ka forca të cilave nuk i pelqen kjo pokitikë e Malit të Zi dhe dëshirojnë ta destabilizojnë atë.
Prandaj, tha Borrell, BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Malin e Zi të përballet me këto sfida.
“Jetojmë në jetën e agresionit rus në Ukrainë dhe në këtë situatë është e domosdoshme të ruajmë orientimin strategjik të Malit të Zi për integrim në BE“, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se Mali i Zi duhet të punojë në reforma dhe të forcojë sundimin e ligjit dhe këtë ta bëjë jo për ta kënaqur BE-në por për nevoja të qytetarëve të sajë.
Presidenti Millatoviq ka shprehur po ashtu bindjen se Mali i Zi do të jetë shteti i ardhshëm anëtar i BE-së dhe se procesi i anëtarësimit do të përshpejtohet tash pasi është krijuar edhe një mbështetje më e madhe për këtë proces edhe në BE.
Ai, bashkë me përfaqësuesin e lartë Borrell e kanë përmendur faktin se vizita e parë e presidentit të ri bëhet në Bruksel si dëshmi se ky shtet e ka prioritet integrimin në Bashkimin Evropian dhe orientimin pro-perendimor.
/Argumentum.al