Presidenti veteran i Taxhikistanit, Emomali Rahmon ka fituar mandatin e tij të pestë, duke marrë 90.92 për qind të votave, bëri të ditur sot kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bahtiyar Hudayarzade, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hudayarzade në një konferencë për media tha se pjesëmarrja e votuesve ishte 85.39 për qind në zgjedhjet e së dielës, 4.2 nga 4.9 milionë votues të regjistruar ushtruan të drejtën e tyre demokratike.
Rreth 3.375 vendvotime u themeluan në 68 zona elektorale.
Shtetasit taxhikë jashtë vendit gjithashtu votuan në 39 kabinat e votimit të vendosura në vende të ndryshme.
Hudayarzade tha se udhëheqësi i Partisë Agrare, Rustam Latifzadeh mori 3.03 për qind ndërsa Abduhalim Gafarov, kryetari i Partisë Socialiste të Taxhikistanit, mori 1.49 për qind të votave.
Rustam Rahmatzoda, udhëheqësi i Partisë së Reformave Ekonomike fitoi mbështetjen e 2.15 për qind të votuesve, ndërsa kryetari i Partisë Komuniste, Miroj Abdulloyev siguroi 1.17 për qind të votave.
Presidenti i Taxhikistanit është zgjedhur për një mandat 7 vjeçar. Zgjedhjet e fundit u mbajtën në vitin 2013, gjithashtu të fituara nga Rahmon.
68-vjeçari po drejton shtetin persisht folës me 9.5 milionë banorë që nga viti 1992, një periudhë që përfshin një luftë civile.