Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri dozën e parë të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër koronavirusit të hënën në një spital në Nuark të shtetit Delauer. Presidenti i zgjedhur kishte shkuar për t’u vaksinuar së bashku me të shoqen, Jill Biden. Pas tre javësh ai dhe zonja Biden do të bëjnë dozën e dytë të vaksinës.
Presidenti i zgjedhur Biden u bëri thirrje amerikanëve të bëjnë vaksinën sapo të kenë mundësi duke shtuar se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar prej saj.
Fillon Shpërndarja e Vaksinave të Modernas
Ndërsa një vaksinë e dytë kundër koronavirusit po shpërndahet në mbarë Shtetet e Bashkuara përpara festës së Krishtlindjes, Britania po mbyllet nga shqetësimi se një mutacion i ri i virusit është shumë ngjitës.
Një vaksinë e re kundër koronavirusit nga kompania amerikane Moderna pritet të shpërndahet në të gjithë Shtetet e Bashkuara këtë javë. Por kjo vjen ndërsa vendi po përjeton rekorde ditore të COVID-19, sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi. Sipas Projektit të Ndjekjes së COVID-it, 113,000 njerëz aktualisht janë të shtruar në spitale.
Megjithëse sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjashtë marrës të vaksinës Pfizer përjetuan reaksione të rënda alergjike, zyrtarët amerikanë thonë se njerëzit duhet ta marrin vaksinën kur të jetë e disponueshme.
“Vaksina rekomandohet gjerësisht për të gjithë, pasi e dimë që është 95 për qind e efektshme, madje edhe 100 për qind e efektshme në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes. Kjo është mënyra se si ne do i japim fund pandemisë duke vaksinuar 70 ose 80% të popullit amerikan”, tha admirali Brett Giroir, ndimës sekretar në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.
Në Britani, lajmi se një mutacion i virusit është më ngjitës ka bërë që zyrtarët të vendosin kufizime të reja ndërsa Franca, Gjermania dhe vende të tjera evropiane po bllokojnë udhëtarët që vijnë nga Britania. Udhëheqësit amerikanë dhe britanikë theksuan se vaksinat do të jenë të efektshme kundër llojit të ri të virusit i cili nuk është domosdoshmërisht më vdekjeprurës.
“Unë nuk mendoj se ka ndonjë arsye për alarm tani. Ne vazhdojmë të monitorojmë. Kjo është detyra jonë”, tha admiral Brett Giroir.
Disa zona në qendër dhe veri të Shteteve të Bashkuara kanë arritur të kontrollojnë shpërthime të mëdha të virusit. Ky përparim është balacuar nga rastet ekstreme në Jug, disa pjesë të Lindjes dhe në Kaliforni. Me pak ditë të mbetura para festës së Krishtlindjes, kompania Apple njoftoi se po mbyll përkohësisht të gjitha dyqanet e saj në Kaliforni.
“Ne e dimë çfarë duhet bërë. Dhe nëse amerikanët i ndjekin këshillat, ne mund ta rrafshojmë kurbën dhe të shpëtojmë dhjetëra mijëra jetë nëse i ndjekim rregullat para se të nxjerrim vaksinën”, tha admiral Brett Giroir.
Pandemia, tha ai, nuk do të zgjasë përgjithmonë, por njerëzit duhet të mobilizohen për të kaluar atë që mund të jetë një dimër i vështirë./voa