Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar këtë të hënë 12 rektorët e rinj të universiteteve publike, të cilët u shpallën fitues në zgjedhjet që u zhvilluan më 30 korrik. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit u kërkoi rektorëve të transformojnë universitetet publike në qendra aktive shkencore dhe t’i bëjnë ata më konkurruese si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
“Sot pata kënaqësinë t’i dorëzoja dekretet e emërimit Rektorëve të rinj të Universiteteve Publike të vendit tonë. Mbetet detyrë parësore e tyre për t’i transformuar Universitetet tona në qendra më aktive shkencore për të konkurruar në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit, në institucionet publike dhe sipërmarrjet private”, tha Meta.
Më tej, Meta u shpreh se për rektorët e rinj detyra kyçe mbetet fuqizimi dhe ruajtja e autonomisë së universiteteve publike në Shqipëri.
“Dymbëdhjetë rektorët e universiteteve publike morën sot zyrtarisht detyrën. Ata do të drejtojnë institucionet e arsimit të lartë publik për katër vitet e ardhshme. Kërkohet angazhimi dhe vendosmëri për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e Universitetit”, shtoi Meta.
Kreu i Republikës u ndal edhe tek largimi i të rinjve, një fenomen ky që ka shqetësuar jo pak shoqërinë shqiptare, sidomos gjatë dekadës së fundit. Zoti Meta theksoi se duhen ndërmarrë politika konkrete, të cilat rrisin dhe stimulojnë të rinjtë për të qëndruar dhe punuar në Shqipëri.
“Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa e madhe e vendit tonë. Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”, theksoi Meta.
Procesi i zgjedhjeve të rektorëve dhe dekanëve në universitetet publike u shoqërua me debate të shumta. Të shumtë ishin profesorët dhe studentët, që kërkuan që zgjedhjet të shtyheshin, pasi për shkak të pandemisë COVID-19, jo të gjithë kishin mundësi të merrnin pjesë në zgjedhjet e 30 korrikut. Ky proces u kundërshtua hapur edhe nga ana Partisë Demokratike, e cila i cilësoi zgjedhjet një “farsë të radhës” nga mazhoranca qeverisëse.
Dymbëdhjetë rektorët e universiteteve publike në Shqipëri:
Universiteti i Tiranës – Artan Hoxha
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë – Arben Gjata
Universiteti Politeknik i Tiranës – Andrea Maliqari
Universiteti Bujqësor i Tiranës – Fatbardh Sallaku
Universiteti i Sporteve të Tiranës– Agron Kasa
Universiteti i Arteve– Kastriot Çaushi
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës– Kseanela Sotirofski
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan – Skënder Topi
Universiteti Fan.S. Noli, Korçë– Dhimitri Bello
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër– Suzana Golemi
Universiteti Ismail Qemali, Vlorë– Roland Zisi
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër– Bektash Mema.