Presidenti Ilir Meta ndodhet në Dibër të Madhe ku do të marrë pjesë në ceremoninë e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës.
Kreu i shtetit ka nderuar figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu duke u përulur dhe duke vendosur një buqetë para shtatores së tij.
“U përula me respekt e nderim para veprës së Tij, përherë frymëzuese dhe udhërrëfyese e qartë për të kapërcyer çdo sfidë dhe garantuar të ardhmen tonë europiane!”, shprehet Presidenti Meta.
Postimi i plotë i Presidentit Meta në Facebook
Sot në Dibër të Madhe, në këtë trevë të bekuar nga Zoti, vend i trimërisë, i besëlidhjes, i mençurisë dhe urtësisë, i fjalës dhe i pushkës, ku dështoi çdo ekspeditë e ushtrive pushtuese dhe që krenohet në çdo epokë me gjithçka i ka dhënë çështjes shqiptare.
Në veçanti Dibra është vendi i origjinës së Kastriotëve dhe Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, simbolit më përbashkues dhe shqiptarit më të gjallë ndër të gjallë, i cili përcaktoi qartë identitetin europian të kombit tonë.
U përula me respekt e nderim para veprës së Tij, përherë frymëzuese dhe udhërrëfyese e qartë për të kapërcyer çdo sfidë dhe garantuar të ardhmen tonë europiane!