Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar sot emërimin e 4 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Në zbatim të procedurave kushtetuese, pas mbërritjes së propozimeve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, kreu i shtetit ka firmosur emërimin e në Gjykatën e lartë të; Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi.
Kreu i shtetit thekson se institucionet e drejtësisë duhet të vijojnë pa vonesa punën për plotësimin me 19 anëtarë të Gjykatës së Lartë. Me emërimet e sotme, Gjykata e Larta bëhet me 7 anëtarë nga 19 anëtarë që duhet të ketë.
“Ka kaluar plot 1 (një vit) nga momenti i propozimit nga KLGJ, të emërimit të 3 anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Nëse KLGJ do të ndjekë këtë ritëm, atëherë Gjykata e Lartë, do të plotësohet me të gjithë trupën gjyqësore, në mars të vitit 2024! Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë”,- thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Kreu i shtetit i bën thirrje KLGJ që “të angazhohet me seriozitet, për të vijuar me ritme më të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate të gjithë mbështetjen e nevojshme. Gjykata e Lartë përballet me një sfidë shumë të madhe, për të përmbushur detyrimin për të shqyrtuar një numër të lartë çështjesh të mbartura. (rreth 35 mijë çështje gjyqësore që presin shqyrtimin)”.
Kreu i shtetit shprehet se bërja funksionale e kësaj gjykate është jetike për interesat e vendit. “Presidenti i Republikës, vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, është me rëndësi jetike për vendin, dhe lidhet direkt me integrimin Europian dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Plotësimi me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të shtetit Shqiptar, por nga ana tjetër përbën një çështje jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë”,- shprehet Presidenti në mesazhin e tij.